Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë zgjatur për një vit emergjencën kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor, të shpallur me urdhër ekzekutiv më 26 qershor të vitit 2001.
Në një deklaratë zyrtare shtëpia e bardhë njoftoi se presidenti Joe biden ka vendosur që të vazhdoi emergjencën të paktën deri më 26 qershor të vitit 2024.
Ky vendim është ndërmarrë për të parandaluar kërcënime të pazakonta dhe të jashtëzakonshme ndaj sigurisë së vendit dhe politikës së jashtme.
“Veprimet e personave që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet ndërkombëtare për stabilizim në Ballkanin Perëndimor dhe situata aktuale në këtë rajon paraqesin një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”.
Konkretisht gjendja e emergjencës kombëtare, do të trajtojë kërcënimin që sjellin veprimet e personave që pengojnë zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit në Bosnje e Hercegovinë, e arritur në vitin 1995 ose Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën.
Më 8 qershor të vitit 2021, Uashingtoni zgjeroi pikat e kësaj emergjence kombëtare, me pretendimet se vendet e ish-Jugosllavisë dhe Shqipëria janë përballur, gjatë dy dekadave të fundit, me korrupsion dhe veprime që pengojnë marrëveshjet e arritura pas luftës.
Urdhri Ekzekutiv në lidhje me Ballkanin Perëndimor është nënshkruar fillimisht nga George Bush më 26 qershor 2001.