Chelsea e Al-Ahli bien dakord, Mendy gati për “aventurën” e re në Arabinë Saudite

schedule09:16 - 21 Qershor, 2023

schedule 09:16 - 21 Qershor, 2023

Ardhja e teknikut Maurizio Pochettino në krye të “bluve” të Chelsea pritet të sjellë një revolucion të vërtetë te “londinezët”, me Mateo Kovacic e N’Golo Kante që tashmë janë thjesht një “firmë” larg transferimit te skuadrat e tyre të reja.

Mirëpo, këta 2 mesfushorë nuk janë vetmit lojtarë që pritet të largohen këtë verë nga “Stamford Bridge”, me portierin senegalez, Edouard Mendy, që është shumë pranë kalimit në Arabinë Saudite e më konkretisht te skuadra e Al-Ahli.

Sipas raportimeve më të fundit nga gazetari i mirënjohur i futbollit, Fabrizio Romano, klubet kanë arritur një marrëveshje të plotë verbale mes tyre, teksa ende nuk është bërë me dije shuma e saktë që sauditët do t’i paguajnë “bluve”, për kartonin e 31-vjeçarit.

Në krahun tjetër, vetë senegalezi ka rënë dakord me kushtet e kontratës së tij personale, me skuadrën e Al-Ahli, teksa pritet që Mendy të ketë një “aventurë” 3-vjeçare, në elitën e futbollit arab.

Ndërkaq, kujtjomë se, që prej largimit të teknikut Thomas Tuchel, Mendy ka zhvilluar vetëm 12 ndeshje këtë sezon në të gjitha garat, teksa ka pësuar 17 gola e ka mbajtur portën të paprekur në vetëm 1 rast. /i.m /abcnews.al