Duke nisur nga 1 korriku i këtij viti rrugëtimi i Kosovës sa i përket anëtarësimit të saj në Bashkimin Europian pritet të jetë sfidues. Kjo jo vetëm për shkak të tensioneve të fundit në veri por edhe për faktin se Presidencën e Këshillit të Bashkimit Europian për 6 muajt e ardhshëm e merr Spanja, një vend që nuk njeh Pavarësinë e Kosovës.
Megjithatatë Fitore Pacolli, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëkohësisht anëtare e Komisionit për punë të jashtme dhe Diasporë deklaron se Spanja pritet të ketë një qasje të drejtë ndaj Kosovës.
“Nëse qasja është e drejt karshi secilit shtet që ka aplikuar për anëtarësim në Bashkim Evropian, atëherë qasja duhet të jetë në përputhje me punën që bënë ai shtet. Pra, nëse Kosova po punon aktivisht që të vendos rregull dhe ligj, të forcojë sistemin e drejtësisë, të bëjë atë sa më të pavarur të jetë e mundur dhe të thellojë demokracinë, atëherë nuk ka logjikë që sjellja e Spanjës të jetë ndryshe, pavarësisht se Spanja nuk e njeh Kosovën.”, tha ajo.
Skeptike për avancimin e Kosovës në presidencën spanjolle është kryetarja e Komisionit për integrime evropiane, Rrezarta Krasniqi. Deputetja e LDK-së deklaroi se Spanja ka qasje agresive ndaj Kosovës, dhe nga ky vend mund të pritet gjithçka, sidomos në situatën aktuale të tensioneve mes Kosovës dhe Bashkimit Europian.
“Është e pritshme gjithçka nga Spanja, por edhe nga shtetet të tjera (jo njohëse). Ju e dini që Spanja nuk e njeh Kosovën…Ne nuk kemi pa asnjë lobim, pasi kjo qeveri është pa strategji, pa asnjë plan në arenën ndërkombëtare. Unë si kryetare e Komisionit për integrim evropian, çdo herë marrë pjesë në çdo presidencë, edhe kësaj radhe njëra prej kryetarëve të komisionit në Spanjë na ka ftuar të gjithëve, mirëpo takimi jonë është shtyrë për shkak të zgjedhjeve atje. Por, unë ende shpresoj dhe besoj se kryeministri Kurti do të ulet dhe bisedoj me BE-në dhe ShBA-në që mos të marrim sanksione”, theksoi Krasniqi.
Edhe Dorajet Imeri, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare deklaron se Spanja do të vazhdojë të ketë qëndrim hezitues ndaj Kosovës përgjatë presidencës së saj në Këshillin e Europës. Sipas Imerit, muajt në vijim nuk pritet të sjellin ndryshime mbi qasjen e Brukselit ndaj Kosovës.
“Spanja është një nga vendet mosnjohëse, madje vazhdon të jetë një nga vendet më kritike për çështjen e pavarësisë së Kosovës. Natyrisht dihet se ajo ka shqetësime të brendshme, por diplomacia kosovare duhet të luajë rolin e saj për të treguar se këto janë dy raste të ndryshme…Spanja do të vazhdojë të ketë qëndrim të saj hezitues, por duke qenë kryesuese e BE-së ajo nuk sillet vetëm si Spanjë, por si politikë e jashtme e BE-së. Prandaj, nuk pres një ndryshim rrënjësor të kursit, por nuk është se pres ndonjë ndryshim të jashtëzakonshëm pozitiv në raport me Kosovën.”, tha Imeri.
Bashkimi Europian i ka kërkuar Prishtinës Zyrtare uljen e menjëhershme të tensioneve në Komunat e Veriut dhe tërheqjen e trupave te policisë nga atje duke paralajmëruar për masa ndëshkuese.
Në një situate të tillë, kur tensioni i Kosovës me aleatët e saj perëndimorë është në nivelin më të lartë dhe pas marrjes në 1 Korrik të Presidencës së BE-së nga Spanja, që nuk njeh pavarësinë e Kosovës, ka pak gjasa që aplikimi i Prishtinës zyrtare për statusin e vendit kandidat të shqyrtohet nga Brukseli brenda këtij viti./abcnews.al


