Nënkryetarin i AAK-së, Ardian Gjini tha se përgjegjësja e vetme për situatën në të cilën ndodhet Kosova dhe masat e ndërmara nga BE ndaj saj, është qeveria Kurti. Në një intervistë për “Ballkan Update”, nënkryetari i AAK-së tha se veprimet e njëanshme të Kurtit në veri nuk janë zgjidhje.
“Jemi duke tërhequr vërejtjen për qeverinë Kurti që veprimet e njëanshme në veri nuk janë zgjidhje. Njerëzit e kanë kuptuar se situata në veri mund të vihet në rregull vetëm në bashkëpunim me partnerin ndërkombëtar. Për një kohë të gjatë qeveria Kurti ka menduar se mund të bëjë gjithçka vetë ndërsa sot dëgjojmë duke thirrur bashkësinë ndërkombëtare që të reagojë.Ne besojmë se bashkësia ndërkombëtare duhet të reagojë mirëpo për të evituar këto situata të tilla, ky bashkëpunim duhet të jetë permanent dhe jo vetëm në momente kur qeveria ndihet e pafuqishme për të bërë diçka.”, theksoi ai.
Gjini theksoi se Kosova ka hyrë në një situatë të keqe diplomatike, politike dhe sigurie për shkak të veprimeve të qeverisë Kurti ndërsa shtoi se qytetarët kosovarë nuk e meritojnë këtë gjë.
“Ka qenë e paimagjinueshme që partnerët tanë kryesorë të përmendin masa dhe sanksione kundër Kosovës. Kjo është një ditë dhe javë e keqe për Kosovën dhe përgjegjësinë kryesore e mban qeveria Kurti. Qytetarët e Kosovës duhet të kuptojnë se nuk meritojnë një qeveri që i sjell në këtë gjendje që jo vetëm që vendosen sanksione por edhe të përmenden ato.Kosova ka hyrë në një situatë të keqe, jemi në pozicionin më të keq të mundshëm diplomatik, politik brenda përbrenda dhe më të keq të sigurisë që prej qershorit të vitit ’99. E pafalshme, është për keqardhje dhe fyese për të gjithë ne që unioni evropian të vendosë sanksione ndaj Kosovës. Kjo qeveri ka tejkaluar çdo normë normale. Është e dhimbshme me e parë vendin tonë në këtë gjendje.”, shtoi Gjini./abcnews.al