Polemika mes trajnerëve të Juventusit dhe Interit në Serinë A

schedule17:30 - 15 Shtator, 2019

schedule 17:30 - 15 Shtator, 2019

Polemika të forta në Serinë A pas ndeshjeve të javës së tretë. Trajneri i Interit, Antonio Konte, i është përgjigjur deklaratave të teknikut të Juventusit, Mauricio Sarri.

Mund ta quash hipokrizi, ulje kurrizi për shkak të presionit të ambientit.

Mund t’i vësh çfarëdo lloj emri, por edhe në futboll je i detyruar të pajtohesh me “politikën korrekte”, me atë që duan tifozët dhe kërkojnë punëdhënësit prej teje.

Mjafton të dëgjosh dy “kokëfortë” si trajnerët Mauricio Sarri dhe Antonio Konte, njerëz me karakter të fortë, por që detyrohen të përkulen përpara shumicës.

Sarri, njeriu që u bë i famshëm duke akuzuar e shigjetuar Juventusin, sot është në stolin bardhezi, dhe flet ndryshe, sidomos pas barazimit pa gola në fushën e Fiorentinës.

“Sulmet e mia ndaj Juves ishin shfrime nga zemërimi”, – tha ai para ndeshjes në Firence, ndërsa pas saj, u justifikua për barazimin

“Do të kishte qenë e padrejtë ta kishim fituar këtë ndeshje, – u shpreh napolitani, – nuk luajtëm siç duhet dhe duhet të rritemi, por në momentet vendimtare unë nuk kisha mundësi për zëvendësime, për shkak të lojtarëve të dëmtuar. Nuk është e lehtë të luash në Firence në orën 15:00, kur temperatura në fushë shkon mbi 35 gradë”.

Nëse do të kishte qenë trajner i Fiorentinës, do të shprehej me shpoti se “të plotfuqishmit nuk mund të ankohen”.

Këto ishin pak a shumë fjalët e Kontes, si përgjigje ndaj Sarrit.

“Nxehtë? – tha trajneri i Interi në formë pyetjeje, – Sarri le të jetë i qetë pasi tani është në anën e të fortëve”.

Pra, në anën e Juves, ku dikur Konte ishte lojtar e trajner, dhe kurrë nuk pranonte se ekipi i tij ndihmohej.

Duket qartë se duhet karakter i fortë që të sfidosh të fortët deri në fund, ka edhe pasoja, siç ndodhi me Françesko Totin apo Zdenek Zemanin, dy njerëz që fituan shumë pak në karrierë sepse nuk deshën të shkonin tek Juventusi, Milani apo tek të mëdhenjtë e Europës.

Pas javës së 3-të në Serinë A, Interi kryeson me 9 pikë, ndaj 7 të Juves e 6 të Napolit.

Pretendentët për titull duket se do të jenë tre, pasi edhe napolitanët e Karlo Ançelotit duken të fortë. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!