Mbrojtja e Thaçit vijon kundra-pyetjet për dëshmitarin e tetë të ZPS-së

schedule11:23 - 14 Qershor, 2023

schedule 11:23 - 14 Qershor, 2023

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka vijuar parashtrimi i kundra-pyetjeve për dëshmitarin e tetë nga ana e mbrojtjes së ish-presidentit, Hashim Thaçi në gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Me të nisur pyetjet, seanca ka kaluar në seancë të mbyllur për publikun.

Nga salla e gjyqit, këtë seancë gjyqësore kundër tyre po e përcjellin ish-presidenti, Hashim Thaçi, ish-kryekuvendari, Kadri Veseli dhe ish-deputeti, Rexhep Selimi. Ndërsa, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi po e përcjell këtë seancë po e përcjell përmes video-lidhjes nga qendra e paraburgimit.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith tha se Krasniqi ka dorëzuar edhe një dokument përmes të cilët heq dorë nga prania e tij në sallë, që nënkupton që as nesër nuk do të jetë i pranishëm në gjykatore.

Dëshmitari i tetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar me kodin 04323 në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve dëshminë e tij e ka nisur ditën e hënë.

Deri tani pyetjet ndaj tij i ka përfunduar Zyra e Prokurorit të Specializuar. Gjatë ditës së hënë kur edhe nisi dëshminë e tij përgjigjet e dëshmitarit të tetë ishin në pjesë të madhe publike, por gjatë ditës së djeshme seanca ka qenë e mbyllur për publikun përveç një momenti kur ZPS parashtroi pyetje për Gardën Kombëtare.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagës prej nëntorit të vitit 2020.

/KosovaPress/