Rreth 45 milionë euro do të përdoren në rajon për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme.Vendi ynë përfiton 6 milionë prej tyre. Ministri i Mjedisit dhe Turizmit e dha lajmin në çeljen e punimeve të Konferencës së Palëve të Konventës së Barcelonës që po zhvillohet në vendin tonë.
Shqipëria merr 6 milionë euro nga Konventa e Barcelonës për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme. Konferencës së Palëve të kësaj Konvente që për herë të parë zhvillon punimet në Tiranë u çel nga ministri i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi.
Ministri i Mjedisit dhe Turizmit iu tregoi përfaqësuesve të 22 shteteve pjesëmarrëse masat që po ndërmerr qeveria për ta kthyer Shqipërinë në një vend të pastër.
Ndalimi dhe kontrolli i hedhjes në treg të qeseve plastike nën 30 mikron është një prej tyre.
Qëllimi kryesor i Konventës së Barcelonës është zvogëlimi i ndotjes në Detin Mesdhe dhe mbrojtja e përmirësimi i mjedisit në zonën detare, duke kontribuar kështu në zhvillimin e qëndrueshëm të kësaj zone. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka Presidencën 2- vjeçare të Konventës si shtet pritës i këtij takimi./abcnews.al