Zëvendëskryeministri Erjon Braçe i ftuar në studion e Mbrëmjë në ABC News të Mirela Milorit ka folur për situatën politike në vend, seancën dëgjimore me presidentin Ilir Meta, shqetësimin e opozitës së re parlamentare dhe luftën kundër informalitetit.
I pyetur nëse ishte në dijeni qeveria që mund të digjej parlamenti gjatë protestës së opozitës në 8 qershor, Braçe deklaroi se nuk ka akses në informacione të klasifikuara.
Milori: Ka patur dijeni qeveria juaj që ekziston një informacion që mund të digjej parlamenti gjatë protestës?
Braçe: Nuk kam akses në informacione të klasifikuara dhe as jam interesuar ndonjëhërë për të pasur akses. Nuk ka lidhje kjo situatë me atë lloj dekreti. Pse merreni me një gjë që ka qenë evidente. Ju e keni transmetuar live tentativën për të djegur kryeministrinë, parlamentin, shkollat.
Sipas tij deklarata e presidentit Ilir Meta në seancën dëgjimore në komisionin hetimor parlamentar të ngritur për shkarkimin e tij, nuk ka të bëjë me zhdekretimin e datës së zgjedhjeve, pasi Shqipëria është republikë parlamentare dhe Kuvendi është sovrani.
“Nuk më intereson se çfarë ka thënë Presidenti, më intereson Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Kushtetuta është shumë e ftohtë në këtë aspekt, në asnjë nen të kushtetutës Presidentit nuk i jepet e drejta të zhdekterojë. Për këtë është ngritur komisioni hetimor. Në rastet kur ka turbulenca të rendit publik, Kushtetuta orienton Presidentin t’i drejtohet Kuvendit dhe është kuvendi sovrani në këtë vend, se Shqipëria është republikë parlamentare dhe jo presidenciale. Kush refuzon të njohë pushtetin parlamentit është jashtë kornizës kushtetuese të Shqipërisë. Vendos parlamenti e askërkush tjetër”.
Shqetësimit të opozitës së parlamentare për një pakt të mundshëm Rama- Basha, zëvendëskryeministri i përgjigjet se ka vend për panik, pasi është ajo që vendos me votë në sallën e parlamentit.
“Secili prej tyre ka të drejtën e vetos dhe votës. Ka shumicë të cilësuar dhe secili prej tyre është faktor në sallën e parlamentit dhe nuk ka vend për panik dhe përdorje se janë ata njerëzit që vendosin me votë në sallë. Gjithçka e shoh si një shqetësim që mund të tejkalohet se kanë të drejtën e votës, që nuk e ka opozita televizive”. /abcnews.al