Presidenca dhe Parlamenti Europian arritën pak ditë më parë një marrëveshje për të lehtësuar aksesin e autoriteteve kombëtare në informacionin financiar.
Ky shihet si një instrument i rëndësishëm në hetimet financiare dhe një përpjekje për të gjurmuar dhe konfiskuar paratë e krimit.
Ligji do të miratohet së shpejti nga vendet e Bashkimit Europian dhe parashikon që autoriteteve të krimit ekonomik të këtyre vendeve tu vihet në dispozicion regjistri me të dhënat bankare përmes një pike të vetme aksesi.
Sipas marrëveshjes, akses në këto informacione do të kenë jo vetëm njësitë kombëtare të inteligjencës financiare të këtyre shteteve, por edhe autoritetet kombëtare policore që merren me veprat penale.
Parlamenti Evropian ra dakord me propozimin e Këshillit Europian për të kërkuar që institucionet financiare të ndajnë të dhënat e transaksioneve në një format të harmonizuar kur ato i ndajnë si pjesë e një hetimi, ccka pritet të ndihmojë dhe përshpejtojë punën e agjencive ligjzbatuese në luftën kundër pastrimit të parave.