SHBA-ja jep 150 milionë dollarë ndihma për zonat e çliruara nga Shteti Islamik

schedule13:21 - 8 Qershor, 2023

schedule 13:21 - 8 Qershor, 2023

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha më 8 qershor se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i ofronin afro 150 milionë dollarë ndihma për zonat në Siri dhe Irak që u çliruan nga grupi ekstremist i Shtetit Islamik.

Blinken njoftoi për këto ndihma gjatë pjesëmarrjes në një konferencë të organizuar nga Arabia Saudite për ta luftuar grupin Shteti Islamik – i cili nuk kontrollon më asnjë territor, por filialet e të cilit ende kryejnë sulme në Afrikë, Azi dhe Lindje të Mesme, shkruan REL.

Koalicioni Global për të mposhtur IS-in përfshin më shumë se 80 vende dhe vazhdon të koordinojë veprimet kundër grupit ekstremist, i cili më parë kishte kontrolluar pjesë të mëdha të Sirisë dhe Irakut. Blinken tha se zotimi prej 150 milionë dollarësh i SHBA-së është pjesë e një plani të ri për financim që arrin në më shumë se 600 milionë dollarë.

“Kushtet e dobëta humanitare dhe të sigurisë. Mungesa e mundësive ekonomike. Këto janë lëndë djegëse për llojin e dëshpërimit me të cilin ISIS [Shteti Islamik] ushqehet dhe rekruton”, tha ai në një fjalim të shkurtër në hapjen e konferencës. “Pra, ne duhet të qëndrojmë të përkushtuar ndaj qëllimeve tona të stabilizimit”.

Blinken nuk e specifikoi, por agjencia e lajmeve AP raporton se ndihmat amerikane për Sirinë pritet të rrjedhin përmes aleatëve kurdë,OKB-së ose grupeve ndërkombëtare të ndihmës, në një kohë kur SHBA-ja dhe vendet e tjera të Perëndimit kanë vendosur sanksione ndaj qeverisë së presidentit sirian, Bashar Assad.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!