Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se mbledhja e përbashkët e dy qeverive Kosovë-Shqipëri do të mbahet më 14 qershor në Gjakovë. Kurti e konfirmoi lajmin gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë, duke shtuar se kjo është mbledhja e tretë në më pak se dy vjet që mbahet mes dy vendeve.
“Sot një javë do të jetë mbledhja e nëntë e përbashkët e Qeverisë tonë dhe Qeverisë së Shqipërisë, e treta në më pak se dy vjet. Kësaj radhe Gjakova do të na bashkojë e marrëveshjet që do të nënshkruajmë do të na afrojnë edhe më shumë”, deklaroi Kurti gjatë mbledhjes së qeverisë.
Kurti përmendi gjithashtu se në mbledhjet e deritanishme janë nënshkruar 41 marrëveshje.
“39 nga to kanë gjetur zbatim të plotë e dy të tjera janë në fazën finale të zbatimit. Duke pasur parasysh ndikimin pozitiv e të drejtpërdrejt që marrëveshjet e deritanishme kanë pasur në jetën e qytetarëve dhe bizneseve si dhe shkallën e lartë të zbatimit të tyre, në mbledhjen e radhës do të nënshkruajmë edhe disa të tjera në fushën e drejtësisë, arsimit, shëndetësisë, bujqësisë dhe mbrojtjes”, u shpreh Kurti./abcnews.al