Takimi me emisarët, Osmani: Zgjedhjet vetëm në përputhje me ligjin

schedule22:35 - 6 Qershor, 2023

schedule 22:35 - 6 Qershor, 2023

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është deklaruar pas takimit që ka zhvilluar me emisarin e Bashkimit Evropian, Miroslav Lajcak, dhe të dërguarin amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar.

Ajo ka thënë se aty ka theksuar se zgjedhjet e reja janë të mundshme vetëm në përputhje me ligjet e Kosovës dhe parimet demokratike, përfshirë pjesëmarrjen e gjithëve.

“Theksova se mosndëshkimi për grupet dhe individët kriminalë që kanë ushtruar dhunë ndaj policisë, gazetarëve, KFOR-it, EULEX-it dhe qytetarëve nuk duhet toleruar. Nënvizova se zgjedhjet e reja janë të mundshme në përputhje me ligjin dhe parimet demokratike përfshirë pjesëmarrjen e të gjithëve”, ka deklaruar Osmani.

Osmani ka shkruar se në këtë takim ka shprehur përkushtimin e Kosovës për të vazhduar punën me partnerët për të siguruar sundimin e ligjit në veri të Kosovës.

“Në takimin e sotëm me Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajcak, shpreha përkushtimin tonë të plotë për të vazhduar punën me partnerët për të siguruar sundimin e ligjit në veri të Kosovës. Diskutuam hapat e ardhshëm në përpjekjet tona të përbashkëta për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajonin tonë”, ka shkruar Osmani në Twitter.

Përveç Osmanit, emisarët kanë takuar edhe kryeministrin Albin Kurti, të cilit i kanë paraqitur propozimin me tri elemente. I pari është de-eskalimi i situatës në terren në tri komunat veriore, pastaj zgjedhje të shpejta në këto komuna si dhe rikthimi në dialog.

Pas takimit, të dy deklaruan se faktori ndërkombëtar është unik në këto kërkesa dhe shpresojnë se të njëjtat do të dëgjohen.

/KosovaPress/