Ministria indiane për Hekurudha, ka rekomanduar që agjencia kryesore e detektivëve të hetojë incidentin vdekjeprurës mes tre trenave, duke lënë të vdekur 275 persona. Ministri për Hekurudha, Ashwini Vaishnaw, e ka bërë të ditur këtë vendim, por nuk ka dhënë më shumë hollësi.
Hetimet për incidentin veçse kanë nisur dhe raportimet preliminare tregojnë se një defekt në sinjal ka çuar në përplasje. Përplasja e tre trenave në mbrëmjen e së premtes, është përshkruar si aksidenti më i rëndë me trena në Indi, këtë shekull.
Më shumë se 1.000 persona janë plagosur dhe janë dërguar në spitale. Disa familje janë ende në kërkim të të dashurve të tyre.
Ende nuk është e qartë se pse Bordi Hekurudhor, trupi kryesor i ministrisë për vendimmarrje, ka rekomanduar hetime të ndara nga Byroja Qendrore e Hetimeve, kur hetimet veçse kanë nisur.
Kjo Byro heton raste të krimit të nivelit të lartë, duke përfshirë mashtrime serioze financiare dhe vrasje. India e ka një prej rrjeteve më të mëdha hekurudhore në botë, dhe miliona pasagjerë e përdorin atë në baza ditore. Megjithatë, një pjesë e mirë e linjave kanë nevojë për riparime./REL