Akuza për përdhunim dhe dhunë/ Franca nis hetimet ndaj ambasadorit të Libanit në Paris

schedule08:55 - 3 Qershor, 2023

schedule 08:55 - 3 Qershor, 2023

Autoritetet franceze kanë nisur një hetim ndaj ambasadorit libanez në Paris për përdhunim dhe dhunë, pas ankesave të dy ish-punonjësve në ambasadë. Gruaja e parë, 31 vjeçe, ngriti një padi në gusht 2022 për përdhunim, sipas deklaratës së saj në polici, në maj 2020 brenda banesës private të ambasadorit Rami Antoine.

Në padinë e saj, ajo pretendon se i ka thënë se nuk donte të kryente marrëdhënie seksuale me të, se po bërtiste dhe qante. Në vitin 2020, ajo kishte denoncuar në polici se Antoine e goditi kur patën një ballafaqim në zyrën e tij, por më pas ajo nuk e paditi atë.

Ajo gjithashtu pranoi se kishte një “marrëdhënie romantike” me të, por ai e kishte dhunuar psikologjikisht dhe fizikisht atë. Rami Antoine ka shërbyer si ambasador i Libanit në Francë që nga viti 2017, është i martuar dhe baba.

Gruaja e tjetër, 28 vjeçe, pati një lidhje me diplomatin libanez menjëherë pasi ajo filloi të punonte si praktikante në ambasadë në vitin 2018. Ajo ngriti një padi shkurtin e kaluar, duke pretenduar se ai e kishte dhunuar kur ajo refuzoi të bënte seks me të.

Ajo pohon, ndër të tjera, se Rami Antoine u përpoq ta përplaste me makinën e tij kur ata u grindën në margjinat e Forumit të Paqes në Kanë, Franca lindore, shtatorin e kaluar dhe se ai u përpoq ta mbyste në fund të dhjetorit.

“Klienti im kundërshton të gjitha akuzat për abuzim të çdo lloji: verbale, morale, seksuale. Mes viteve 2018-22 ai ka pasur një lidhje me këto gra, e cila është shoqëruar me zënka dhe ndarje”, tha avokati i diplomatit, Karim Beilouni.

E pyetur se çfarë do të bëjnë autoritetet më pas duke pasur parasysh se Antoine ka imunitet diplomatik, zyra e prokurorit të Parisit tha se “nuk ishte në gjendje të përgjigjet në këtë moment”.

“Nuk kemi asnjë informacion për këtë rast, i cili është proceduar”, tha ministria e jashtme, duke kujtuar se hetimi është konfidencial.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!