Autoriteti i aviacionit civil të Zelandës së Re po i kërkon transportuesit kombëtar Air New Zealand të peshojë pasagjerët në fluturimet ndërkombëtare nga Auckland deri më 2 korrik.
Por kjo nuk është e gjitha, çmimi i biletave do të vendoset nga pesha e pasagjerit. Nisma është pjesë e një sondazhi që do të mbledhë të dhëna për ngarkesën dhe shpërndarjen e peshës në avionë.
“Ne do të peshojmë gjithçka që vjen në bord, nga ngarkesat te ushqimet dhe bagazhet,” thekson Alastair James, specialist i përmirësimit të kontrollit të ngarkesave të linjës ajrore. “Për klientët, ekuipazhin dhe bagazhet e kabinës, ne përdorim peshat mesatare që mbledhim përmes kërkimit.”
Sidoqoftë, pesha është një e dhënë personale që jo të gjithë duan ta zbulojnë. Për këtë arsye, dhe për të mbrojtur privatësinë e pasagjerëve, kompania ajrore specifikon se të dhënat do të jenë anonime.
Pasagjerëve do t’u kërkohet të qëndrojnë në një peshore dixhitale përpara se të hipin, pesha e tyre do të regjistrohet por nuk do të shfaqet në ekran ose për kalimtarët.
“Ne e dimë se peshorja mund të jetë e frikshme për disa njerëz. Ne duam t’i sigurojmë klientët tanë se pesha e tyre nuk do të shfaqet askund, ne as nuk do ta dimë për këtë”, siguron James.
Nuk është hera e parë që Air NZ i vendos pasagjerët e saj në “torturën e peshores”. Pasagjerët në fluturimet e brendshme kishin marrë pjesë në një sondazh të ngjashëm në vitin 2021, por ai për udhëtarët në fluturimet ndërkombëtare u vonua për shkak të pandemisë së koronavirusit. /abcnews.al