Rafael Nadal fiton US Open

schedule11:47 - 9 Shtator, 2019

schedule 11:47 - 9 Shtator, 2019

Rafael Nadal është tani vetëm 1 Grand Slem larg rekordit të Rozher Federerit. Tenisti spanjoll triumfoi në Nju Jork, pas një finaleje të jashtëzakonshme ndaj rusit Medvedev.

E meriton vlerësimin si finale epikë. E tillë ishte ajo e US Openit, në Arenën e shkëlqyer “Arthër Ejsh” në Nju Jork, ku Rafael Nadali triumfoi pas një drame ndaj Danil Medvedevit.

Mendohej, ndoshta, një duel më normal, por spanjolli dhe rusi dyluftuan në fushë për gati 5 orë, duke mos dashur të pranonin humbjen. Nadali fitoi dy setet e parë, 7-5 e 6-3, dhe u mendua se do të dominonte siç ka bërë shpesh.

E kundërta ndodhi, pasi Medvedevi reagoi dhe mori dy setet e radhës, 7-5 e 6-4. Në setin përfundimtar, tenisti rus i mori shërbimin spanjollit, por 33-vjeçari u përgjigj menjëherë.

Gjithsesi, ekuilibri u ruajt gati deri në fund, me Nadalin që shënoi pikët vendimtare. Ky ishte Grand Slemi i 19-të i tij në karrierë, vetëm 1 larg rekordit të Rozher Federerit.

“Për një moment e mendova humbjen, – pohoi Nadali, – kur humb shërbimin në setin e pestë, pasi ke humbur dy sete radhazi, padyshim që je në telashe. Gjithsesi, unë gjithnjë i largoj mendime të tilla, gjithnjë besoj se kam shanse për të fituar. Megjithatë, unë isha gjatë gjithë kohës në avantazh, unë e kam shumë të vështirë të mendoj se do të humbas. Unë luaj tenis sepse e dashuroj këtë sport, jo për rekordin e Grand Slemeve”.

Tenisti rus ishte gjithashtu një fitues në finale, pasi nga armiku numër 1 i publikut amerikan, ai mori brohoritjet dhe thirrjet e 24 000 tifozëve në Arenën “Arthër Ejsh”.

“Ishte një ndeshje mahnitëse, – u shpreh Medvedevi, – një histori e shkëlqyer. Në setin e tretë po mendoja se çfarë fjalimi duhet të mbaja pas humbjes, por pastaj u përqëndrova tek çdo pikë. Natyrisht, isha afër fitores, ndonëse nuk e arrita. Jam i zhgënjyer me rezultatin, por jo me paraqitjen time në US Open. Kam bërë edhe gabime, por unë jam njeri, ndërsa çdo sukses e kam arritur prej tifozëve”.

Nadal do të ketë shansin për të barazuar rekordin e Federerit, në janar 2020, në Grand Slemin e radhës në Australian Open./ABC News Albania 24/7