Pas ishujve Bahamas dhe Shteteve të Bashkuara, uragani “Dorian” ka zbarkuar në Kanada. Cikloni post-tropikal ka goditur rajonin Nova Skotia, ku rreth 450 mijë shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike.
Uragani “Dorian” ka zbarkuar në Kanada, në rajonin Nova Skotia, në nivelin e një cikloni post-tropikal. Stuhia e fuqishme goditi qytetin Halifaks ditën e shtunë, me erëra që frynin me shpejtësi deri në 160 kilometra në orë, duke rrëzuar pemë dhe duke lënë pa energji elektrike mbi 450 mijë shtëpi.
Ministri kanadez për Sigurinë Publike, Ralf Gudejl tha se ushtria do të zbresë në terren për të ndihmuar në rikthimin e normalitetit. Zbarkimi në Kanada vjen disa ditë pasi uragani shkatërroi ishujt Bahamas, duke lënë pas mbi 40 të vdekur, një bilanc ky provizor që pritet të rritet më tej.
Që prej atëherë “Dorian” ka lëvizur në bregun lindor të Shteteve të Bashkuara, për të arritur më pas në Kanada, ku qendra vendase për uraganet ka deklaruar se bëhet fjalë për një ciklon shumë intensiv.
Autoritetet kanë bërë gjithashtu të ditur se stuhia ka sjellë mbi 100 milimetra shi në rajonin Nova Skotia, nivel që mund të dyfishohet në orët në vazhdim. Gjithashtu, stuhia pritet të prekë rajone të tjera dhe banorëve u është bërë thirrje që të evkauohen si masë mbrojtëse.
Kryeministri Xhastin Trudo ndërkohë është informuar mbi stuhinë. “Siguria e qytetarëve tanë është prioriteti numër një”, deklaroi ai./ABC News Albania 24/7