Me lejen e Gjykatës Speciale, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ndodhet në Kosovë për të vizituar familjen e tij. Qëndrimi i tij në Kosovë po monitorohet nga EULEX-i dhe Policia e Kosovës.
Këtë për KosovaPress e kanë konfirmuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, Trupi Gjykues ka udhëzuar menaxhimin e një vizite paraburgimi në Kosovë për Hashim Thaçin, për të takuar familjen. I akuzuari mbetet në paraburgim nga Dhomat e Specializuara. EULEX-i dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”, ka thënë Angela Griep, shefe e informimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Hashim Thaçi ndodhet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.
Pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet, gjykimi ndaj tij, me pretendimin për krime lufte, ka filluar në prill të këtij viti./kosovapress