Vdekja e dy punëtorëve, ndalohet pronari i “Skela Syla”

schedule12:54 - 8 Shtator, 2019

schedule 12:54 - 8 Shtator, 2019

Policia e Tiranës ka ndaluar një tjetër person në lidhje me ngjarjen e 16 Gushtit 2019, ku në rrugën “Faik Konica”, si rezultat i rrëzimit të skelave të pallatit që ishte në rikonstruksion, ndërruan jetën dy punëtorë. Në pranga përfundoi Petrit Sula, i cili është edhe administratori i firmës “Skela Syla”.

Vdekja e dy punëtorëve nga rrëzimi i skelave gjatë rinkosntruksionit të një pallati në Tiranë, ka çuar në pranga pronarin e kompanisë “Skela Syla”, Petrit Sylën. Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e 16 Gushtit në rrugën “Faik Konica”, ku humbën jetë Orjon Kodra dhe Ergys Brahimaj.

Prangosja e Petrit Sylës u bë nga efektivët e komisariatit nr.1., në Tiranë, ndërsa ky i fundit kishte negociuar nëpërmjet avokatit të tij për t’u dorëzuar vullnetarisht. Prokuroria e Tiranës ka lëshuar urdhër-ndalimi ndaj administratorit të “Skela Syla”.Ai akuzohet për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë”.

Më herët u ndaluan 2 drejtues teknik të kompanive që po punonin në fasadën e pallatit 13 katësh. Xhimi Tarushi me detyrë drejtues teknik i punimeve në firmën “Xhimi” si dhe Ilir Bendo me detyrë Drejtues Teknik i sigurisë së punimeve në firmën skela “Syla”.

Ata u prangosën pasi nuk kishin plotësuar kushtet minimale për sigurinë punonjësve të tyre. Gjithashtu, nën hetim u vendosën edhe disa punonjës të Inspektoriatit të Punës Tiranë, pasi ata nuk kanë ushtruar detyrën për kontrollin e masave të sigurisë në punë në pallatin ku ndodhi aksidenti i rëndë i mesgushtit të muajit të kaluar./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!