Përdoruesit e drogës në Shqipëri po njohin rritje ndërsa heroina nuk është më droga më e përdorur. Shqetësimi ngrihet nga mjekët toksikologë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.
“Hashashi është droga më e përdorur mes adoleshentëve, moshave të gjimnazeve ndërsa mes adultëve droga më e përdorur është kokaina, zakonisht mes mbi 25 vjeçarëve. Incidenca e përdoruesve të heroinës 3- 4 vitet e fundit ka ardhur në rënie ndërkohë është rritur ndjeshëm incidenca e përdorimit të kokaines mes adultëve dhe moshës së mesme. “
Mosha e përdoruesve të hashashit ka zbritur në 10 – 11 vjeç por ka dhe prej atyre që nisin konsumin e drogës në moshë të mesme. Arsyet sipas mjekëve janë disa.
“Adultët 30 -35 vjeç e fillojnë për trend. Adoleshentët i detyron bullizimi, të qenurit pjesë e grupit, problemet ne familje. Ka persona që vijnë në spital pas dhjetë vitesh. Nga anamneza që marrim ne kuptojmë që mosha më e hershme është 10-11 vjeç, fillohet hashashi dhe më vonë drogat e tjera.”
Ndër përdoruesit e drogës vijojnë të dominojnë meshkujt megjithëse nga viti në vit mjekët vënë re dhe shtim të numrit të femrave. Të shumtë janë ata që pas konsumit të narkotikëve i drejtohen spitalit.
Sipas mjekëve vetëm në një ditë fundjave në urgjencën e Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë kërkojnë ndihmë mesatarisht shtatë persona./abcnews.al