Ndryshe nga çpritej, “vikingut” të Manchester City, Erling Haaland i mjaftoi vetëm 1 sezon me fanellën e “qytetarëve” për t’u konsideruar si lojtari më i mirë jo vetëm në Premier League, por edhe në botë, me 22-vjeçarin që ka shënuar plot 52 gola dhe ka dhuruar 9 asistime në 51 ndeshjet e realizuara deri më tani me “blutë” e Manchester.
Efikasiteti i tij para porte dhe “nuhatja” natyrale për gjetjen e golit i dhuruan norvegjezit “shkëlqimin” e tij që në sezonin e parë të “qytetarëve”, sezon që fund e shpërbleu me çmimin e “Futbollistit të Vitit” në Premier League. Tepër i lumtur, në fjalën e tij pas marrjes së çmimit, Haaland komentoi dhe 2 finalet e mbetura të Manchester City, fillimisht ndaj rivalëve historikë të United në FA Cup, e më pas ndaj Inter në finalen e madhe të Champions League.
“Ishte një sezon i mirë për mua. Në fakt, nuk prisja një ecuri të tillë, kam bërë më mirë seç e kisha menduar. Kam menduar vetëm për ndeshjen e radhës ashtu siç kërkon edhe Guardiola, pasi nuk më pëlqen të mendoj shumë për të shkuarën apo për të ardhmen. Është e paimagjinueshme ajo çfarë arritëm me City-n pasi ishim për shumë pikë pas Arsenal. Në fund, titulli kishte një shije të mrekullueshme.
Tani kemi para edhe dy finale të tjera dhe duhet të mbetemi të fokusuar pavarësisht triumfit në Premier League. Do të bëj gjithçka që të dalim me tituj nga finalet. Është ndjesi e mirë që jemi favoritë ndaj Interit sepse kjo do të thotë se kemi kualitete. Duhet të sulmojmë në mënyrën tonë, të luajmë në stilin tonë dhe në fund ta shohim kush fiton”,- u shpreh “roboti” i Guardiolas, pas marrjes së çmimit. /i.m /abcnews.al