Zv-Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Vilma Balla e ftuar në emisionin “Bardh a Zi” në ABC News ka folur në lidhje me përgatitjet për menaxhimin e sezonit turistik.
Ajo është shprehur se gjatë këtij 4-mujori ka pasur 60% më shumë turistë sesa e njëjta periudhë e një viti më parë, ndërsa shton se po ashtu edhe produkti ekonomik nga 4% ka shkuar në 17.5%.
Sa i përket menaxhimit të sezonit turistik, zv-ministrja tha se përgatitjet për këtë kanë nisur që prej shtatorit të vitit të kaluar.
“Deri tani kanë ardhur gati 60% më shumë turistë, krahasuar më 4 mujorin e një viti më parë. Produkti ekonomik që vjen nga turizmi nga 4%, sot është 17.5%. Kjo është punë dhe lidhet me sektorin publik dhe atë privat.
Referuar punës që lidhet me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, duke njohur problematiket dhe argumentat jo fort pozitive vit pas vit dhe duke njohur edhe pjesën që këtë vit do të hynim në një vit zgjedhor, puna për përgatitjen e një mirëmenaxhimi të një sezoni turistik të 2023 ka nisur që në shtator të vitit të shkuar.
Këtu nuk ka fat, ka punë, angazhim dhe ka hallka të të gjithë sektorit që ka bashkëpunuar” tha Bello.
Në lidhje me një sfidë serioze, që është ajo e burimeve njerëzore, Bello tha se shteti nuk mund të ndërhyjë direkt, por mund të bëjë disa politika dhe një prej tyre është rritja e pagës minimale.
“Sfida e burimeve njerëzore është një sfidë, jo vetëm shqiptare.
Një politikë që bën qeveria është pikërisht rritja e pagës minimale. Kjo rritje do të nxisë detyrimisht edhe rritjen e pagës atje” u shpreh Bello.
Në lidhje me vendimin për certifikimin e mjeteve lundruese dhe kontrolli ndaj tyre, Bello tha se ato do të monitorohen gjatë gjithë kohës dhe se në momentin që janë të certifikuar kanë përgjegjësi për shkeljet që mund të kryejnë.
Zv-ministrja theksoi se mjetet lundruese do të kenë një korridor të caktuar ku do të qëndrojnë dhe lundrojnë.
“Të gjitha mjetet që duhet të certifikohen, me certifikatën e turizmit detar, mjete e të gjithave përmasa.
Monitorimi ka nisur nga policia kufitare. Nëse ti certifikohesh ti ke përgjegjësitë e tua në rast shkelje, po ashtu janë përcaktuar korridore ku do të qëndrojnë dhe lëvizin.
Numrat për njoftuar shkeljet kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të hapur” tha Bello.
Kohët e fundit turistet kanë “braktisur” hotelet duke preferuar më shumë shtëpinë me qira dhe për këtë Bello tha se ata duhet të formalizohen që shteti të ketë mundësi t’i kontrollojë dhe po ashtu në këtë mënyrë që po veprojnë janë duke cënuar konkurrencën e ndershme.
“Ata duhet të formalizohen. Ata cenojnë konkurrencën e ndershme që bën dikush që është konsoliduar në treg dhe kjo është pandershme” tha shkurtimisht zv-ministrja.r.t/abcnews.al