Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Frika nga Rusia/ Moldavia thirrje BE-së për fillimin e negociatave për anëtarësimin në BE

schedule15:28 - 22 Maj, 2023

schedule 15:28 - 22 Maj, 2023

Moldavia ka bërë thirrje për nisjen e bisedimeve për anëtarësimin e saj në BE. Dhjetëra mijëra moldavë u mblodhën më 21 maj në sheshin qendror të Kishinaut, që është kryeqyteti i vendit, duke demonstruar në favor të perspektivës së anëtarësimit të Moldavisë në Bashkimin Europian.

“Anëtarësimi në BE është mënyra më e mirë për të mbrojtur demokracinë dhe institucionet tona. I bëj thirrje BE-së që të marrë një vendim për fillimin e negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit.

Ne besojmë se kemi mbështetje të mjaftueshme për të ecur përpara”, tha presidentja moldave Maya Sandu për Politico.

Shkurtin e kaluar, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pretendoi se forcat ukrainase të sigurisë penguan një komplot që synonte rrëzimin e qeverisë pro-perëndimore të Moldavisë.

Zyrtarët nga Kishinau thanë më vonë se ky operacion i mbështetur nga Rusia mund të përfshijë sabotim dhe sulme ndaj ndërtesave qeveritare por Moska i ka mohuar akuza të tilla.

“Ka një përpjekje nga Kremlini për ta kthyer Moldavinë në një “Kaliningrad jugor” duke instaluar një regjim pro-Moskës. Megjithatë, kjo përpjekje nuk ka qenë aq efektive sa kishte shpresuar Kremlini,” tha Arnold Dupuy, një bashkëpunëtor në institutin e mendimit të Këshillit Atlantik, sipas Politico.

Brukseli, nga ana e tij, njoftoi muajin e kaluar se do të vendoste një mision civil në Moldavi që synon të luftojë kërcënimet në rritje nga Rusia. Javën e kaluar, Maya Sandu i bëri thirrje Brukselit që të fillojë bisedimet sa më shpejt që të jetë e mundur në mënyrë që të mbrojë Moldavinë nga ato që ajo tha se janë kërcënime në rritje nga Rusia.

Megjithatë, duke qenë një nga aleatët më të ngushtë të Rusisë për dekada, Moldavia e di se rruga e saj drejt anëtarësimit në BE nuk do të jetë pa pengesa.

“Sfida është e madhe,” tha Tom de Waal, bashkëpunëtor  në Carnegie Europe, ndërsa në të njëjtën kohë, konflikti i ngrirë mbi rajonin separatist të Transnistrisë në Moldavinë lindore mund t’i ndërlikojë më tej gjërat.

Transnistria është një vend përgjatë kufirit me Ukrainën ku jetojnë pothuajse gjysmë milioni njerëz. Zona kontrollohet nga separatistët pro-rusë dhe rreth 1,500 trupa ruse janë gjithashtu të vendosura atje, pavarësisht kërkesës për tu larguar.

Në të njëjtën zonë, ndodhen gjithashtu disa nga depot më të mëdha të municioneve në Europë.

“Moldavia nuk mund të bëhet anëtare e BE-së ndërkohë që ka trupa ruse në territorin e saj,” tha për Politico, eurodeputeti rumun Siegfried Muresan.

Por edhe më gjerësisht, jashtë Transnistrisë, Moska vazhdon të ketë ndikim të rëndësishëm në Moldavi. Ndërsa rumanishtja është gjuha zyrtare e vendit, rusishtja flitet gjerësisht dhe media shtetërore ruse po ndihmon në formimin e opinionit publik moldav. Në të njëjtën kohë, Moldavia varet nga Rusia për të mbuluar nevojat e saj energjetike, gjë që lejon Moskën ta shantazhojë atë, siç pretendohet.

Sipas një sondazhi të CBS Research të botuar në shkurt, gati 54% e moldavëve thonë se do të votonin për anëtarësimin e vendit në BE, por ka edhe rreth 25% që thonë se do të preferonin një bashkëpunim më të afërt me Rusinë. Në të njëjtën kohë, qytetarët gjithashtu nuk bien dakord se kush është fajtori për luftën në Ukrainë, me 25% që përmendin presidentin rus Vladimir Putin dhe 18% argumentojnë se fajin e kanë Shtetet e Bashkuara.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!