Dhoma e Përfaqësuesve në Britani ka votuar pro ligjit që ndalon daljen e vendit nga BE-ja pa një marrëveshje. Një lëvizje e tillë i lidh duart kryeministrit Boris Johnson, i cili ka kërcënuar ligjvënësit me zgjedhje të parakohshme për t’u çliruar nga çdo detyrim.
Parlamenti britanik votoi të mërkurën ligjin që i ndalon kryeministrit Boris Johnson të nxjerrë Mbretërinë e Bashkuar pa një marrëveshje nga Bashkimi Europian. Pasi i hoqën atij kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, ligjvënësit votuan me 329 vota pro përballë 300 kundër për ligjin që detyron qeverinë të kërkojë një shtyrje tjetër të Brexit.
Duke reaguar, Johnson e cilësoi lëvizjen e ligjvënësve një përpjekje për t’u dorëzuar para BE-së dhe kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme më 15 Tetor, një taktikë kjo që mund ta çlirojë atë nga çdo detyrim nëse fiton shumicën.
Por ligji në fjalë para se të hyjë në fuqi duhet më parë të votohet edhe në Dhomën e Lordëve, votim që do të mbahet ditën e enjte dhe më pas të marrë konsensusin nga mbretëresha Elizabeth.
Në Dhomën e Përfaqësuesve ai u miratua nga laburistët dhe konservatorët rebelë, që lanë mënjanë dallimet politike dhe bashkuan forcat. Projekt-ligji thotë se kryeministri do të ketë kohë deri më 19 tetor që ose të kalojë një marrëveshje në Parlament, ose të detyrojë deputetët të aprovojnë një Brexit pa marrëveshje.
Pasi të ketë kaluar ky afat, ai do të duhet të kërkojë një zgjatje të datës së largimit të Mbretërisë së Bashkuar deri më 31 janar 2020. Nëse BE përgjigjet duke propozuar një datë tjetër, kryeministri do të ketë dy ditë për ta pranuar atë. Gjatë kësaj kohe, deputetët dhe jo qeveria, do të kenë mundësinë të refuzojnë datën e BE-së./ABC News Albania 24/7