Sot, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë është mbajtur ceremonia e hapjes së ushtrimit më të madh ndërkombëtar ushtarak në rajonin e Ballkanit, “Defender Europe ’23”, në te cilën morën pjesë presidentja, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se ushtrimi ndërkombëtar “Defender Europe ’23” është një simbol i vendosmërisë kolektive për ta ruajtur paqen dhe stabilitetin në një botë, që po sfidohet vazhdimisht, shkruan Kosova Press.
Osmani këtë ushtrim e ka quajtur si historik për vendin, veçanërisht për ushtrinë më të re në kontinentin e evropin, për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
“Në këtë stërvitje ndërkombëtare ju jeni krahas ushtrive nga kombet e shtetet e ndryshme, megjithatë ju qendroni nën një kauzë të vetme, kauzës së përbashkët për ta forcuar bashkëpunimin dhe për ta rritur ndërveprimin midis forcave aleate. Ky ushtrim ndërkombëtar është një simbol i vendosmërsisë tonë kolektive për ta ruajtur paqen dhe stabilitetin në një botë që po sfidohet vazhdimisht. Është një kujtesë se forca jonë nuk qëndroi vetëm në fuqinë e armëve tona, por në lidhjet që krijojmë, në aleancat që ne ndërtojmë. Së bashku ne jemi më të fortë kundrejt forcave që kërkojnë të na ndajnë, duke dëshmuar se uniteti e bashkëpunimi ynë janë çelës për një të ardhme më të sigurtë e paqësore. Objektivi kryesor është që ta shfaqë aftësinë ushtarake dhe luftarave të ShBA-ve dhe forcave aleate kundër agresorëve të mundshëm. Ky ushtrim është historik në shumë aspekte, veçanërisht për ushtrinë më të re në kontinentin evropin, për forcën tonë të sigurisë”, ka thënë Osmani.