Rusia ka shpallur fitoren në Bakhmut, qytet në lindje të Ukrainës, ndonëse zyrtarët ukrainas pretendojnë se luftimet vazhdojnë, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, më 21 maj, në Japoni, tha se pak ka mbetur nga Bakhmuti dhe se qyteti është shkatërruar pothuajse plotësisht, shkruan REL.
I pyetur nëse Bakhmuti ishte nën kontrollin e Ukrainës, Zelensky nuk ishte plotësisht i qartë, por tha: “Mendoj që jo”, gjë që u interpretua si konfirmim i humbjes së Bakhmutit.
“Sot, Bakhmuti është vetëm në zemrat tona”, tha Zelensky në Hiroshimë, ku ishte i ftuar në samitin e grupit G7, ku morën pjesë liderët e vendeve më të zhvilluara ekonomikisht në botë.
Megjithatë, zyra e presidentit ukrainas më vonë sqaroi se Zelensky nuk deklaroi se qyteti kishte “rënë”.