Kemal Kilicdaroglu ka folur për çështjet e refugjatëve dhe terrorizmit duke iu drejtuar votuesve nacionalistë përpara raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale të Turqisë.
“Unë nuk jam ulur në tryezë me organizatat terroriste dhe kurrë nuk do ta bëj. Unë do t’i kthej të gjithë refugjatët sapo të marr pushtetin,” tha kandidati i aleancës opozitare në Ankara, gjatë fjalimit të tij.
Në muajt e fundit, Kilicdaroglu tha se në rast fitoreje do të kujdeset për riatdhesimin e refugjatëve gjatë dy viteve të tij të para në udhëheqjen e Turqisë.
Fjalët e tij, me një ton jashtëzakonisht të ashpër, duket se i drejtohen 2.8 milionë votuesve që në raundin e parë të zgjedhjeve votuan për ultra-nacionalistin Sinan Ogan, i cili mori 5.2% të votave.
Sipas shtypit turk, Sinan Ogan është takuar ditën e djeshme me një nga gjashtë liderët e aleancës opozitare dhe ka gjasa të takohet edhe me Kemal Kilicdaroglu.
Ogan pritet të japë një drejtim për të votuar ndaj njërit apo tjetrit kandidat në zgjedhjet presidenciale, por nuk është e sigurt që direktiva e tij do të zbatohet masivisht nga votuesit e tij.
Fushata zgjedhore e kandidatit ultra-nacionalist u fokusua në nevojën e dëbimit të 4 milionë refugjatëve që ndodhen në tokën turke, 90% e të cilëve janë refugjatë sirianë.
Kemal Kilicdaroglu, i cili po premton të kthejë refugjatët sirianë, akuzoi sot presidentin në largim të Turqisë se “sjell 10 milionë refugjatë” në vend.
“Nëse qëndrojnë në pushtet, do të ketë edhe 10 milionë refugjatë të tjerë. Do të ketë plaçkitje. Qytetet do të drejtohen nga mafia dhe tregtarët e drogës. Femicidet do të shtohen”, tha ai sot.
/abcnews.al