Biden: Ulja e taksave për të pasurit nga Trump rriti borxhin me 2 trilion dollarë

schedule09:55 - 17 Maj, 2023

schedule 09:55 - 17 Maj, 2023

Presidenti amerikan Joe Biden nisi një sulm të drejtpërdrejtë ndaj Donald Trump dhe republikanëve, duke iu referuar krizës së borxhit që kërcënon të paralizojë shtetin amerikan.

“Shmangia e një falimentimi të paprecedentë është një detyrë kyçe për Kongresin dhe republikanët e dinë këtë. Gjatë mandatit të paraardhësit tim (Donald Trump) dështimi u shmang tre herë. Falimentimi nuk është një opsion”, tha Joe Biden në një mesazh në llogarinë e tij në Twitter.

“Ulja e taksave nga paraardhës im për të pasurit i shtuan dy trilion dollarë borxhit të SHBA-së,” theksoi ai.

Presidenti amerikan tani do të kthehet në Shtëpinë e Bardhë të dielën pas samitit të G7 në Japoni për t’u fokusuar në bisedimet e ashpra mbi borxhin kombëtar, duke anuluar takimin e  “Squad” në Australi dhe Papua Guinenë e Re, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Presidenti amerikan dhe opozita republikane duhet të arrijnë shpejt një marrëveshje për të eleminuar rrezikun e një falimentimi të paprecedentë të SHBA-së.

Shtëpia e Bardhë njoftoi gjithashtu se Presidenti Biden foli me kryeministrin australian Anthony Albanese për ta informuar atë për shtyrjen e udhëtimit të tij. Ndihmësit e Biden folën gjithashtu me ndihmësit e kryeministrit të Papua Guinesë së Re, James Marape, për t’i informuar ata për shtyrjen e vizitës së presidentit.

/abcnews.al