Sezoni i ri politik në shtator, ja sfidat e secilës palë përballë krizës 6-mujore

schedule16:11 - 31 Gusht, 2019

schedule 16:11 - 31 Gusht, 2019

Pas një muaji pushimesh sezonale, shtatori rikthen zyrtarisht në punë aktorët politikë në vend. Kriza politike e nisur prej muajit shkurt i gjen palët në pozicione të pandryshuara, por secili me një axhendë të vetën që pritet të zbulohet në ditët e ardhshme. Ndjekim Yllka Kamenicën.

Ka nisur kthimi i politikanëve nga pushimet. Shtatori do të tregojë edhe se nga do tia nisin punës për të zgjidhur krizën politike në vend.

Në axhendën e mazhorancës pikë e parë është shënuar riorganizimi i strukturave të Partisë e për  kanë nisur takimet me bazën. Hapin e parë të rikthimit në detyrë socialistët e treguan me kërkesën urdhëruese për tu dorëhequr drejtorët rajonalë të Shkodrës.

Një nga një kanë nisur ti binden.

Valdrin Pjetri duket se është shkaku i përqendrimit të së majtës qeverisëse në Shkodër.

Për herë të parë në 30 vjet demokraci arritën të fitojnë ndonëse pa garë bashkinë e Shkodrës por denoncimet e opozitës që detyruan kryebashkiakun fitues të dorëhiqet e kanë lënë sot pa kokë drejtimin e kryeqendrës së veriut.

Partia Socialiste është vënë në lëvizje pa dhënë detaje se cili do të jetë zëvendësuesi i Valdrin Pjetrit.

Në heshtje qëndron selia rozë edhe për dekretin e zgjedhjeve në 13 tetor që i ka lënë në zyrë presidenti i republikës. Kanë thënë se nuk e njohin e se më të angazhuar janë për shkarkimin e kryetarit të shtetit.

Komisioni hetimor pritet të vendosë vulën në 3 tetor. Verdiktin final do ta japë Gjykata Kushtetuese që sipas zërave optimist brenda partisë socialiste do të ngrihet këtë vit.

Nga ana tjetër parlamenti hap dyert të hënën e parë të shtatorit. Një seancë ceremionale që do tu kujtojë deputetëve se kanë për të miratuar edhe  20 projektligje dhe 13 projekt-vendime të mbartura nga muaji korrik.

Ndër më të rëndësishmet është reforma zgjedhore e nisur që në vitin 2017 por që do të finalizohet në 28 nëntor falë bashkëpunimit që mazhoranca thotë se ka me opozitën brenda parlamentit.

Të gjitha këto duken punë rutinore për shumicën qeverisëse por s’do të jenë të qetë ndërsa e kryejnë pasi tashmë kanë përballë dy kundërshtarë, opozitën që e sulmon me akuza e denoncime e nga ana tjetër presidentin që i rikujton herë pas herë se 30 qershori është i paligjshëm, vendimi për hapjen ose jo të negociatave me Bashkimin Evropian shans të vetëm kanë zgjedhjet në 13 tetorin.

Gushti përfundoi pa lëvizje në shahun e politikës shqiptare, shtatori është nisja për një lojë të re ku ende nuk dihet se cili do ta bëjë lëvizjen e parë./ABC News Albania 24/7