Pas vendimit të Gjykatës për të akuzuarit për falsifikim të biletave në urbanët në Tiranë ka reaguar zv.kryeministri Erion Brace, sipas të cilit, vendimi vjen nga drejtësia e vjetër.
“Pronarët e administratorët në shtëpi, kurse punëtorët e tyre në burg”, shkruan zv.kryeministri, i cili nënvizon se çdo inspektor i tatimeve, i policisë së shtetit a prokuror që u mor me hetimin e kësaj cështjeje, ndihet i tradhëtuar nga një pjesë e shtetit ku shërben“.
Duke i falenderuar për punën, Brace u kërkon të bëjnë durim, sepse në vetting ka radhë e radha po vjen shpejt, më shpejt seç këta, thotë ai, kanë parashikuar në planin e tyre të biznesit.
“Drejtësia e re ka punë me çdo shkelës ligji, vijon zv.kryeministri, “pavarësisht pushtetit politik e ekonomik, miqve në politikë dhe biznes, parave dhe pronave që kanë, por edhe me çdo gjyqtar që mu si këta shkel ligjin, duke e bërë atë gunga-gunga për punëtorët dhe magnet parash a sfungjer, për pronarët e paligjshëm”.
Zv.Kryeminitri kujton edhe të paligjshmëve në ekonomi që të mos zhyten në krim, se do u kushtojë shumë më shtrenjtë, por të zgjedhin rrugën e drejtë, pagimin e taksave e tatimeve, që kushton më lire./ABC News Albania 24/7