Greqi, mbi 650 emigrantë zbarkojnë në ishullin e Lesbos

schedule20:45 - 30 Gusht, 2019

schedule 20:45 - 30 Gusht, 2019

Në Greqi është rikthyer frika e mbërritjes në masë të refugjatëve, pasi disa varka me mbi 600 persona në bord mbërritën brenda një ore në ishullin e Lesbos. Të alarmuara, autoritetet greke thirrën për sqarim ambasadorin turk në Athinë.

Mbi 10 varka me emigrantë në bord zbarkuan në ishullin e Lesbos, në Greqi, në vetëm pak minuta distancë kohore nga njëra-tjetra. Bëhet fjalë për mbërritjen e parë në masë të emigrantëve nga Turqia fqinje në tre vitet e fundit, që ka detyruar Athinën zyrtare të thërrasë për sqarime ambasadorin turk. Në vitin 2015, në kulmin e krizës së emigrantëve, mijëra njerëz mbërrinin çdo ditë në brigjet greke. Numri i tyre ra në mënyrë të ndjeshme pasi Bashkimi Europian dhe Ankaraja implementuan një marrëveshje të arritur në mars të 2016-s për të ndërprerë fluksin. Nga rreth 56 mijë refugjatë që kanë mbërritur në Europë këtë vit, thuajse gjysma e tyre kanë zgjedhur si pikë zbarkimi ishujt grekë dhe numri i tyre është rritur në muajt e fundit. Të enjten, 16 varka me rreth 650 njerëz në bord mbërritën në Lesbos brenda një ore, sipas të dhënave të policisë lokale dhe agjencisë së OKB-së për refugjatët, UNHCR. Ministri i Jashtëm, Nikos Dendias thirri ambasadorin turk ditën e premte për të shprehur pakënaqësinë e Greqisë lidhur me rritjen e fluksit të emigrantëve, bënë të ditur burime diplomatike për agjencinë e lajmeve “Reuters”. Nga ana e tij ambasadori turk mësohet të ketë thënë se Ankaraja mbetet e angazhuar për implementimin e marrëveshjes me BE-në dhe se politika e saj sa i takon çështjes së emigrantëve nuk ka ndryshuar. Mbi 1 milionë emigrantë, shumica e të cilëve largohen nga konfliktet e armatosura dhe varfëria në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, mbërritën në BE në vitin 2015 dhe Turqia ishte një nga pikat kryesore të nisjes së tyre.

/ABC News Albania 24/7

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!