Nga kompleksi i ri sportiv ‘Partizani’, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe deputeti i PS, Xhemal Qefalia, u takuan me banorët e Tufinës, Freskut, Dajtit, Zall-Herrit, Shëngjergjit e Zall Bastarit. Veliaj tha se kjo vërtet ka qenë një fushatë model në kryeqytet, por ajo që e dallon Partinë Socialiste është fakti se vjen në çdo njësi e në çdo fshat jo vetëm për fushatë, por në çdo kohë kur ka nevojë për të qenë pranë me qytetarët, sidomos në kohë të vështira.
“Ky ka qenë një rrugëtim i jashtëzakonshëm! Por, ne nuk jemi bashkë vetëm për fushatë. Kemi qenë këtu edhe kur s’ka pasur fushatë. Sa e kishim fituar betejën e fundit kur ra tërmeti dhe treguam që s’ishim nga ata që duken një herë në 4 vjet. Kemi qenë me Xhemalin dhe drejtuesit tanë në çdo shtëpi, që kishte nevojë të ngrihej, në çdo familje që kishte nevojë për dashuri, në çdo të moshuar e të vetmuar, që kishte nevojë për mbështetje. Jemi forca politike që quhet Partia Socialiste, edhe kur ka shi, edhe kur ka diell, edhe kur ka tërmet, edhe kur ka pandemi, edhe kur jemi shëndoshë e mirë sepse një familje është gjithmonë bashkë dhe kjo është familja jonë”, u tha Veliaj banorëve.
Ai falënderoi këdo që i është bashkuar në këtë fushatë Partisë Socialiste, teksa veçoi një rast: “Kur po vija këtu takova një vajzë, e cila më tha: ‘Kjo është hera e parë që vij në një miting të Partisë Socialiste, kam qenë gjithmonë djathtas’. Por, asnjëherë nuk është vonë të ecësh përpara. Asnjëherë nuk është vonë që të shkosh në drejtimin e duhur dhe asnjëherë nuk është vonë të bashkohesh me familjen më patriotike, me familjen më të madhe, por edhe me familjen më fitimtare politike, që është Partia Socialiste e Shqipërisë”.
Prandaj, tha Veliaj, vota për PS është shumë e rëndësishme në 14 Maj. “Javën e kaluar patëm dy kupa. Ishte ekipi basketbollit i gocave të Partizanit, që është në pronësi të Bashkisë së Tiranës, që solli kupën e gocave dhe ishte ekipi i basketbollit të çunave të Tironës që solli kupën e meshkujve. Në një ndeshje ka gjithmonë një mundësi për ta bërë rezultatin përsëri. Ndeshja jonë ndodh një herë në 4 vjet, është si Kupa e Botës, si Kupa e Europës. Është e nevojshme fitorja se nuk e rikuperojmë dot pas dy, apo tre javësh. Kemi një shans në 4 vjet për ta çuar Tiranën përpara,” u shpreh Veliaj.
Ai tha se kjo votë nevojitet për të vijuar me investimet e medha, ndër të cilat Unaza e Madhe e Tiranës. “Sot jemi në një situatë ku kemi shumë punë që i kemi nisur dhe i kemi në gjysmë të rrugës. Ashtu si një njëri që ndërton çatinë e vet, nuk ndërton vetëm gjysmat e tjegullave, duhet të mbarojë e gjithë çatia. Ashtu si dikush që lyen murin, nuk lyen vetëm gjysmën e murit, duhet të lyejë të gjithë murin. Ashtu edhe Tirana jonë, e ka nisur mbarë, por siç kemi bërë gjysmën e Unazës së Madhe nga sheshi Shqiponja deri në Farkë të Madhe, tani duhet të kalojmë te zonat e Xhemalit, të vijë Unaza në Dajt, në Tufinë, e të vazhdojë derisa të dalë në Paskuqan”, nënvizoi Veliaj.
Për këtë, ai solli shembullin e tregut agroushqimor, i cili sot mund të quhet një premtim i mbajtur. “E dhamë një premtim me Xhemalin dhe thamë: ‘Nuk do vijmë më të kërkojmë vota, nëse nuk e mbajmë fjalën për tregun agroushqimor, që sapo u hap në Farkë të Madhe’. Fermerët tanë, ata që jetojnë në fshat, ata që e punojnë me sakrifica tokën, s’kanë asnjë arsye pse të shkojnë nga Bërzhita, ose nga Krraba, ose nga Zall-Bastari, komplet në anën tjetër, për të shkuar te tregu privat që ta mat kokën me spango. E mbajtëm premtimin! Me Xhemalin hapëm tregun agroushqimor, që njerëzit tanë të fitojnë më shumë. Ky trend duhet të vazhdojë e ky ritëm nuk duhet të ndalet,” deklaroi Veliaj.
Deputeti i PS, Xhemal Qefalia tha se për të gjitha ato që janë bërë, por sidomos për ato që duhet akoma të bëhen në këto zona, që i janë bashkuar Tiranës, duhet një tjetër mandat për Erion Veliajn në krye të Bashkisë./abcnews.al