Zëvendës ministrja e Turizmit, Vilma Bello këtë të mërkurë në një lidhje direkte te “Sheshi i Dollarit”, me gazetaren Genta Dobra është shprehur se është e rëndësishme se Shqipëria e viteve të fundit është kthyer në një destinacion të preferuar turistik, jo vetëm për vendet e Ballkanit por edhe nga ato që nuk e kanë frekuentuar më parë.
Ndër të tjera Bello ka theksuar se të ardhurat nga turizmi tashmë janë kthyer në një indikator të rëndësishëm në rritjen ekonomike të vendi tonë.
“Nga shifrat që na vijnë nga terreni vëmë re se kemi një rritje të numrit të vizitorëve të huaj në vendin tonë. Notat janë optimiste, dhe pritet që jo vetëm në rekordin e vitet të kaluar por të dhënat tregojnë se numri i turistëve pritet që të jetë i lartë. Shqipëria nuk synon shifra të larta turistësh, por duhen turistë që qëndrojnë dhe shpenzojnë më shumë në vendin tonë kjo rrit dhe ndikimin në rritjen e Produktit të Brendshëm Bruto.
Përveç Ballkanit, dua të shmang pjesën që vijnë nga Kosova, por vitin e kaluar kemi pasur një dyfishim të turistëve nga Anglia dhe Gjermania, një katërfishim nga vende si Polonia dhe Hollanda. Ajo që është pozitive është se ka dhe turistë që janë të rithyer. Ky do të jetë një treg i njëjtë në sajë të promovimit që Shqipëria dhe operatorët kanë bërë.
Nga vlerësimet e deri tanishme ka një rritje të ndjeshme përsa i përket rritjes në ekonominë shqiptare nëse ka qenë 4% sot flasim për një shifër prej 17.5 %. Kur flasim për të ardhurat gjatë vitit 2022 të ardhurat kanë qenë 2.8 miliardë ndërsa neto 1 miliardë. Neto flasim për atë që harxhojnë turistët dhe shqiptarët që ikin, pritshmëritë tona i kemi po se janë të gjithë argumentet që tha jo vetëm në ardhjen për herë të parë por dhe rikthimi i tyre. Turizmi është kthyer në sektorin me trendin më të lart për rritjen ekonomike. Synimi i turizmit në vendin tonë nuk është në muajin e sezonit vetëm në verë, por nga ana tjetër ajo që ministria synon është turizmi i qëndrueshëm dhe gjithëvjetor. Këtu nuk flasim vetëm për zonat bregdetare por edhe ato malorë, ku 40% e turistëve kanë vizituar veriun e Shqipërisë”, ka thënë ajo.
Ndër të tjera ajo ka folur dhe për sfidat e turizmit ku është shprehur se ajo që ka rëndësi është që vendi ynë të kthehet në një vend për turizëm gjithëvjetor.
“Sfidat për këtë vit janë, rritja e cilësisë, e standardeve e sigurisë dhe shtrirja e turizmit për të gjithë vitin, duke e kthyer në gjithëvjetor”, ka thënë ajo. /abcnews.al