“Turizmin duhet ta shtrijmë në 365 ditë”, Topuzi: Është trefishuar numri i rezervimeve, duhet të ofrojmë paketa të plota

schedule14:30 - 10 Maj, 2023

schedule 14:30 - 10 Maj, 2023

Turizmi vijon të shënojë shifra pozitive. Sipas raportit të fundit të Institutit të Statistikave, në tre muajt e parë të këtij viti Shqipërinë e kanë vizituar rreth 1 milionë turistë të huaj krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shënohet një rritje prej 39 % e të huajve që kanë hyrë në territorin shqiptar.

Zak Topuzi, kryetar i Shoqatës e Hoteleri Turizëm ishte i ftuar në emisionin “Sheshi i Dollarit” ku tha se rritja e numrit të turistëve tregon se vendi ynë do të jetë një destinacion i rëndësishëm për këtë vit. Sipas tij, numri i rezervimeve është trefishuar vetëm për periudhën qershor-shtator.

“Një vit i mirë më i mirë se 2022. Tregon që Shqipëria do të jetë një destinacion i rëndësishëm për këtë vit. Shqipëria ka gati trefishuar numrin e rezervimeve nga booking për periudhë qershor- shtator . Kjo tregon një situatë pozitive por kërkon më shumë punë Duhet të angazhohet jo vetëm biznesi por edhe bashkitë, qeveria qendrore.”, tha ai.

Megjithatë, Topuzi shtoi se është e rëndësishme që fluksin e turistëve që vijnë gjatë pikut të sezonit ta kanalizojmë përgjatë gjithë vitit. Ai përmendi problemin e kapaciteteve akomoduese ndërsa shtoi se është e rëndësishme që të punohet për të ofruar paketa për turistët që vijnë në vend.

“Shqipëria vuan për kapacitete akomoduese nga problemi që brenda tre muajve vijnë 53 përqind e të gjithë turistëve. Tjetër e dhënë që na shqetëson që gati 79 përqind vijnë në rrugë tokësore dhe kjo kërkon menazhim më të mirë të akseve rrugore, kryesisht nga Tirana në Shkodër që është edhe fluksi kryesor.“, shtoi Topuzi.

Një tjetër pikësynim sipas Topuzit është edhe turizmi elitar.

“Të përmirësojmë sistemin rrugor dhe të ngremë resorte në mënyrë që të kemi paketa të plota shërbimesh. Turizmi elitar është synimi kryesor i Evropës dhe është drejtuar si pikësynimi kryesor dhe brenda vitit 2035 do të trefishohet. Turizmi elitar konsumon 2-3 përqind të kapaciteteve akomoduese po sjell deri në 36 përqind të të ardhurave. Nuk është vetëm çështje destinacioni hoteli por duhen porte dhe jahte, restorante cilësore por duhet plotësuar paketa e plotë që këta turistë të kryejnë destinacionin në Shqipëri.”, tha ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!