Një ditë para përfundimit të afatit të regjistrimit të koalicioneve parazgjedhore në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë shpeshtuar takimet në kërkim të një marrëveshjeje të mundshme.
Kur ka mbetur vetëm edhe një ditë për t’u regjistruar në KQZ partitë politike dhe koalicionet parazgjedhore për zgjedhjet e 6 Tetorit, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizje Vetëvendosje kanë intensifikuar takimet për një marrëveshje për koalicion parazgjedhor. Sot janë takuar sërish krerët e këtyre dy partive politike Isa Mustafa e Albin Kurti në një nga restorantet e Prishtinës.
Ndërkohë Partia Demokratike e Kosovës vazhdon të jetë e mbyllur për media sa i përket koalicioneve parazgjedhore, deri më tash vetëm kanë paralajmëruar se do të ketë befasi edhe nga kjo parti.
Shikuar nga praktikat e mëhershme partitë politike gjithmonë e lënë ditën e fundit për të treguar për marrëveshjet e koalicioneve parazgjedhore, duke shikuar veprimet e njëra tjetrës paraprakisht.
Ndërsa koalicioni i OJQ-ve për vëzhgimin e zgjedhjeve Demokracia në Veprim u ka bërë thirrje partive politike që të respektohet barazia gjinore në lista zgjedhore. Zgjedhjet e parakohshme mbahen me 6 Tetor pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit./ABC News Albania 24/7