Novak Djokoviç mund të rrezikojë seriozisht titullin në Grand Slemin e tenisit në Nju Jork. Ai fitoi ndaj argjentinasit Londero, por pati edhe një dëmtim.
Është kampioni në fuqi, si dhe numri 1 i botës. Novak Gjokoviç mund të duket I pandalshëm në US Open, ku ka fituar tre tituj, ndërsa ka zotëruar 4 nga 5 Grand Slemet e fundit, por as ai nuk mund ta ketë plotësisht në dorë fatin e tij.
Tenisti serb ia doli vërtet 3-0 ndaj argjentinasit Huan Injasio Londero, por pati shqetësime të mëdha në shpatull, dhe u desh të trajtohej disa herë.
Gjokoviçi, i mbiquajtur, Nole u shpreh më pas se shumë rrallë në karrierë kishte pasur dhimbje të tilla, dhe ky mund të jetë një sinjal alarmi, apo edhe një shpresë për rivalët, se mund ta mundin në Nju Jork.
Numri 1 i botës humbi 5 herë shërbimin, diçka që mund t’i ndodhë vetëm ndaj ndonjë rivali si Federeri, por megjithatë e përfundoi ndeshjen me sukses, edhe pse pati vështirësi në shërbim dhe gjuajtje.
Rezultati i seteve ishte 6-4, 7-6 e 6-1 dhe Nole kaloi në raundin e tretë. Pritet që ai të ketë rivalitet të madh nga gjigandë si Nadal apo Federer. Zvicerani gjithashtu e pati të vështirë, por ia doli 3-1 ndaj boshnjakut Damir Xhumhur.
Legjenda 38-vjeçare e nisi sërish keq ndeshjen, duke humbur setin e parë, 3-6, por pastaj pati ndeshjen nën kontroll me shifrat 6-2, 6-3 e 6-4. Tashmë ai ka 100 ndeshje në US Open dhe vetëm amerikani Xhimi Konors ka më shumë.
Favoritet po ecin përpara edhe tek femrat, por po ashtu duke vuajtur. Serena Uilliams mundi patrioten e saj Keti Meknelli, por vetëm pas 3 seteve, 5-7, 6-3 e 6-1. Veterania fitoi duelin amerikan ndaj adoleshentes, por nuk u shpreh e kënaqur nga paraqitja e saj./ABC News Albania 24/7