Qytetarët e Serbisë duke filluar nga sot e deri më 8 qershor janë të detyruar që të dorëzojnë armët në pronësi të paligjshme në polici pa shkaktuar pasoja penale. Mediat vendase shkruajnë se ky është një vendim që qeveria e ka marrë menjëherë pas vrasjes së 17 personave në ditët e fundit pas dy sulmeve të njëpasnjëshme me armë.
“U bëj thirrje qytetarëve që posedojnë armë pa leje që të përfitojnë nga rasti dhe t’i dorëzojnë ato, sepse me kalimin e afatit të caktuar, dënimet ndaj shkelësve do të jenë shumë të rënda ”, ka thënë presidenti Aleksandër Vuçiç në një intervistë për mediat.
Ndër të tjera ai ka theksuar se do të merren masa për kontrollin e mbajtësve të patentës së armëve, si kryerja e papritur dhe në intervale të rregullta të analizave psikologjike dhe toksikologjike.
Në Serbinë me 6.8 milionë banorë, janë në fuqi 765,000 leje për armë. Megjithatë, vlerësohet se rreth 2.5 milionë qytetarë posedojnë të paktën një armë zjarri.
Prej ditës së sotme janë shtuar masat e sigurisë në të gjitha shkollat në Serbi , me praninë e dy policëve plotësisht të armatosur në hyrje, ndërsa patrulla ka edhe rreth objekteve shkollore.
Shkolla fillore “Vladislav Rybnikar” , ku të mërkurën e kaluar një nxënës 13 vjeçar vrau tetë shokët e klasës dhe rojen e shkollës, do të fillojë punën pas dy ditësh. Shumë prindër të fëmijëve që ndjekin këtë shkollë kërkojnë që vendi i tragjedisë të rinovohet para fillimit të mësimit./abcnews.al