Vendet e Amerikës Latine do të zhvillojnë një samit në lidhje me situatën e krijuar nga zjarret në pyjet e Amazonës. Presidenti brazilian Bolsonaro ka deklaruar se vendet e prekura nga katastrofa natyrore do të diskutojnë si të koordinojnë përpjekjet për t’i dhënë emergjencës një përgjigje të përbashkët.
Vendet e Amerikës së Jugut do të mblidhen për të diskutuar si t’i japin një përgjigje të koordinuar situatës në Amazonë. Lajmin e ka bërë të ditur presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, sipas të cilit samiti do të zhvillohet më 6 shtatorin e ardhshëm. Sipas Bolsonaro, të gjitha vendet që përfshihen në rajonin e Amazonës, me përjashtim të Venezuelës, do të jenë të pranishme në samit. “Do të diskutojmë të gjitha hapat e nevojshëm për një reagim të përbashkët”, tha Bolsonaro. Më herët gjatë ditës presidenti brazilian vendosi si kusht për pranimin e ndihmës prej 22 milionë dollarësh të vendeve të G7-s menaxhimin e shumës nga qeveria braziliane. “Brazili do të pranojë ndihmat ndërkombëtare për të luftuar kundër zjarreve në Amazonë vetëm nëse bëhet e qartë se buxheti dhe burimet financiare do të kontrollohen nga qeveria braziliane”, deklaroi zëdhënësi i presidentit. Deri tani kreu i shtetit latin ka pranuar vetëm ndihmën e Kilit, që ka ofruar 4 avionë për të luftuar flakët nga ajri. Ndërkohë, guvernatorët e rajoneve më të prekura nga flakët e Amazonës i kanë bërë thirrje Bolsonaros që të rishikojë qëndrimin e tij ndaj ndihmës së ofruar nga vendet e G7-s. /ABC News Albania 24/7