Presidentja Vjosa Osmani deklaroi se miratimi i Deklaratës për Personat e Zhdukur është një e arritur e suksesshme drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Këtë deklaratë ajo e ka dhënë në një intervistë për BBC-në, gjatë qëndrimit në Londër ku të shtunën do të zhvillohet Ceremonia e Kurorëzimit të Mbretit Charles III.
Osmani ka kërkuar mbështetjen e Britanisë së Madhe dhe vendeve të tjera aleate të Kosovës për zbatimin e kësaj marrëveshje të arritur më 2 maj mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
“Besoj se java e fundit ka qenë goxha e suksesshme, veçanërisht në një çështje të veçantë, që është miratimi i Deklaratës për Personat e Zhdukur që janë zhdukur me forcë gjatë luftës, është një çështje që e kam shtyrë përpara dhe si Kosovë kemi investuar në këtë sepse janë mbi 1600 familje që ende i kërkojnë të dashurit e tyre që janë rrëmbyer gjatë luftës dhe për këtë arsye llogarisim mbështetje shtesë nga Britania e Madhe që është një nga vendet me rol kryesor për të na mbështetur”, theksoi ajo.