Qëndrueshmëria e Dusan Vlahovic te Juventus nuk është e sigurt. Dëmtimet dhe forma jo premtuese e sulmuesit serb herë pas here ka bërë që drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” të mendojnë mundësinë e shitjes së tij për një shifër të konsiderueshme dhe transferimit të një tjetër sulmuesi.
Kartoni i sulmuesit 23-vjeçar sot në treg kap shifrat e 75 milionë eurove, një shifër tepër e lartë dhe Juventus mund të jetë i gatshëm ta lejojë të largohet kundrejt një oferte tunduese.
Në rast largimi, Juventus ka menduar për Gianluca Scamacca, ish-sulmuesin e Sassuolos dhe aktualin e West Ham. Sulmuesi italian nuk ka pasur sukses në këtë sezon të tijin të parë në Angli, pasi dëmtimet nuk e lanë të qetë, por edhe nuk u përshtat me futbollin anglez.
Në 27 ndeshje në total të luajtura në këtë sezon, Scamacca ka shënuar 8 gola, ndërsa vlera e tij në treg kap shifrën e 27 milionë eurove./ h.ll/abcnews.al