Kombet e Bashkuara në një deklaratë të fundit të bërë ka njoftuar se çmimi më i lartë për lirinë e shtypit iu dha tre gazetareve të burgosura në Iran, “për përkushtimin e tyre ndaj të vërtetës dhe llogaridhënies”.
Sipas OKB fituesja e parë është gazetarja Niloufar Hamedi, e cila nxori lajmin për vdekjen e 22-vjeçares Mahsa Amini shtatorin e kaluar, ndërsa ishte ndaluar nga policia e moralit se nuk e kishte veshur siç duhet shaminë e kokës. Fituesja e dytë është gazetarja Elaheh Mohammadi, e cila shkruajti për funeralin e zonjës Amini.
Fituesja e tretë është Narges Mohammadi, e cila punoi për shumë vite si gazetare dhe është ndër aktivistet më të njohura të Iranit. Çmimi për Lirinë e Shtypit në Botë, i Organizatës së OKB-së për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO), ka marrë emrin e Guillermo Canos, një gazetar kolumbian që u vra përpara zyrave të gazetës së tij në Bogota në vitin 1986.
Ndërkohë në fund të prillit, gjyqësori i Iranit pranoi se dy gazetaret që dhanë lajmin për vdekjen e zonjës Amini, Niloufar Hamedi dhe Elaheh Mohammadi, ishin akuzuar për bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara, veprimtari kundër sigurisë kombëtare dhe krijimit të “propagandës kundër sistemit”.
Ndërsa rreth 100 gazetarë u arrestuan gjatë demonstratave, raportimet e gazetareve Hamedi dhe Mohammadi ishte vendimtare në ditët pas vdekjes së zonjës Amini për të përhapur lajmin për zemërimin që pasoi. Zonja Hamedi punonte për gazetën reformiste “Shargh”, ndërsa zonja Mohammadi punonte për gazetën reformiste “Ham-Mihan”. Sipas UNESCO-s, gazetaret Hamedi dhe Mohammadi janë në burgun Evin të Iranit që nga muaji shtator, dhe zonja Hamedi mbahet në izolim./abcnews.al