Andi Lila kthehet tek Tirana pas 10 vitesh

schedule14:15 - 27 Gusht, 2019

schedule 14:15 - 27 Gusht, 2019

Andi Lila do të luajë për Tiranën këtë sezon. Mbrojtësi i kombëtares kthehet te kryeqytetasit pas 10 vjetësh, ndërsa fitoi titullin kampion në 2009.

Momenti kulmor i karrierës ishte vera e 2016-s. Andi Lila, pjesë e kombëtares shqiptare, arriti finalet e Europianit, madje si protagonist në fitoren ndaj Rumanisë, ndërsa sot, tri vjet më vonë, dëshiron të zgjasë më tej një karrierë mjaft të mirë.

Mbrojtësi, që ende mund të quhet pjesë e kombëtares, do të luajë për Tiranën këtë sezon, pasi arriti akordin me presidentin Refik Halili. Një rikthim tek bardheblutë pas 10 vjetësh.

Herën e parë, 33-vjeçari u shpall kampion me Tiranën, në 2009, duke qenë pjesë e një skuadre të fortë që kishte në përbërje Devi Mukën, Agollin, Memellin, Abrahamin, Dabullën, Patushin e shumë të tjerë, ndërsa po atë vit fitoi edhe Superkupën e Shqipërisë.

Më pas, kavajasi provoi veten në Greqi me Janinën, lojtar i së cilës ishte nga viti 2011 deri në 2019. Në 2015, në fazën e dytë të atij edicioni arriti një kulm me klubet, duke u bashkuar me Parmën në Serinë A, madje duke shënuar edhe gol ndaj Interit në “San Siro”.

Lila pati bisedime edhe me Tiranën, edhe me Kukësin, ndërsa burime pranë kryeqytetasve pohojnë se ai kërkoi një rrogë prej 12 000 eurosh në sezon. Zyrtarisht, as Tirana dhe as Lila, nuk kanë dhënë hollësi për pagesën./ABC News Albania 24/7