Interi i Conte-s bind tifozët me fitoren ndaj Leçes

schedule12:37 - 27 Gusht, 2019

schedule 12:37 - 27 Gusht, 2019

Interi bindi tifozët në ndeshjen e parë të Serisë A, por trajneri Antonio Conte nuk mbeti plotësisht i kënaqur. Ai kërkoi më shumë nga futbollistët e tij.

Përpara ndeshjes, i hodhi një sy tribunave të zbrazura të “San Siros”. Antonio Conte e dinte se do të ishin plot 65.000 tifozë në stadiumin legjendar milanez për të ndjekur Interin e tij, dhe se ai dhe skuadra e tij duhej t’u jepnin një përgjigje.

Që nga sezoni i tripletës me Murinho-n, publiku zikaltër nuk kishte pasur kaq besim, dhe kjo ishte një përgjegjësi e madhe për një trajner tepër të përgjegjshëm. Për fat, nisja e Serisë A ndaj Leçes ishte ajo e duhura, ndonëse fitorja 4-0 ishte më shumë për meritë sesa e dhuruar.

Futboll agresiv dhe shpesh sulmues, siç e kërkonte Konte, me 4 shënues të ndryshëm, dhe me mjaft raste të tjera për të thelluar rezultatin. E gjitha kjo përballë një Leçeje të mirë, që nuk u dorëzua pa luftë.

Kroati Brozoviç e Stefano Sensi shënuan shpejt në pjesën e parë, Romelu Lukaku  e Candreva thelluan rezultatin pas pushimit. Sulmuesi belg tregoi se përse Konte këmbënguli ta merrte, duke u përkulur edhe para publikut, pas golit.

“Shiko se çfarë Interi, – titullon “La Gazeta dello Sport”, – nisje rrufe, poker ndaj Leçes. Skuadra dhe stadiumi votojnë Antonion!”

“Conte kafshon, – thekson “Il Corriere dello Sport”, – Inter shkatërron Leçen, 4-0! Gol dhe përkulje ndaj tifozëve, Lukaku ndez “San Siron”!”

“E nisëm kampionatin siç duhet, – deklaroi Conte, – fitorja ishte e merituar, ndonëse kemi ende shumë gjëra për të përmirësuar. Pesëmbëdhjetë minutat e fundit të pjesës së parë nuk më pëlqyen aspak, dhe këtë ua thashë lojtarëve. Festimi zgjati deri në mesnatë, dhe menjëherë do të përqendrohemi tek ndeshja e radhës. Nuk dua që të jemi një fishekzjarr, por një dinamit për gjithë sezonin. Lukaku është shembulli se ne duhet të luajmë me sakrificë dhe përulësi”.

Conte e ka forcuar skuadrën, me afrimin e Lukakut, Godinit, Sensit, Barelës apo Asamohas, por po ashtu me punën e tij këmbëngulëse. Holandezi De Vrij ishte i dëmtuar, ashtu si uruguajani Godin, dhe me kthimin e tyre, mbrojtja do të jetë ndjeshëm më e fortë, ndërsa tifozët shpresojnë që ky të jetë viti i duhur për titullin e 19-të, dhe të parin që nga viti 2010./ABC News Albania 24/7