BRUKSEL- Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç nisën takimin e përbashkët në Bruksel, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të Bashkimit Evropian.
Bashkimi Evropian tha se pret që palët “të miratojnë deklaratën për personat e zhdukur, si pikë e parë e rendit të ditës”, dhe që kjo të pasohet me “paraqitjen dhe diskutimet për draftin e statutit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe” në Kosovë.
Kreu i shtetit serb me një video në Instagram paralajmëroi se takimi i sotëm “do të jetë vështirë”, ndërkohë nënvizoi se vendet e mëdha perëndimore janë kundër Serbisë.
“Kundër nesh janë të gjithë të mëdhenjtë në Perëndim”, tha ai, pa sqaruar se kujt i referohet saktësisht.
“Megjithatë, ne kemi ligjin dhe drejtësinë në anën tonë. Më e rëndësishme se kjo është se ata nuk e kuptojnë se sa e fortë është dashuria për lirinë dhe sa fort mund ta ruani atë. Përkundër të gjitha presioneve”, u shrpeh Vuçiç.
Kryeministri i Kosovës, përpara takimit në Bruksel, bisedoi me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar/n.m.abcnews.al