Arsenal-Chelsea: “Topçinjtë” duan të vazhdojnë presionin ndaj City, “blutë” kërkojnë të marrin “ajër”

schedule12:37 - 2 Maj, 2023

schedule 12:37 - 2 Maj, 2023

Nga Hergi Llupi

Sot në mbrëmje, në orën 21:00, në “Emirates Stadium”, Arsenal do të përballet me Chelsea e Frank Lampard.

Presioni më i lartë është në anën e vendasve, pasi Arsenal kërkon me patjetër fitoren për të vazhduar së ushtruari presion mbi Manchester City, të cilët këta të fundit janë aktualisht kryesues në ligën angleze.

Arsenal ndodhet në vendin e dytë me 75 pikë, një më pak se City i vendit të parë, por presioni është ende edhe më i lartë kur del në dritë fakti se “qytetarët” kanë edhe një ndeshje më pak. Skuadra e Arteta nuk ka kaluar një periudhë të mirë, ku në 4 ndeshjet e fundit në Premier League kanë grumbulluar 1 humbje dhe 3 barazime. Me pak fjalë, gjithçka e kanë pasur vetë në dorë dhe duket se iu ka rrëshkitur, por gjithsesi lufta është ende e hapur deri në fund.

Nga ana tjetër, Chelsea ka kaluar dhe po kalon një sezon tepër të zymtë. Skuadra e cila tashmë drejtohet nga Frank Lampard, trajneri provizor deri në fund të sezonit, nuk po ndjen më shijen e fitores. Në pesë përballjet e fundit, “blutë” kanë marrë vetëm 1 pikë. Aktualisht Chelsea ndodhet në vendin e 12-të të tabelës me 39 pikë dhe mund të thuhet se turnetë evropianë sezonin e ardhshëm nuk do të munden t’i shohin nga afër, por vetë nga ekrani i televizorit.

Shpenzimet e mëdha nuk e ndihmuan Chelsea të ngrihej në krye të vendeve të para, por fundosja vazhdon ende. Sot ata do të përballen edhe me një numër lojtarësh të cilët nuk do të jenë në dispozicion të Lampard. Betinelli, Cucurella, Reece James, Koulibaly dhe Mount nuk do të jenë në gjendje të ndihmojnë skuadrën e tyre.

Arsenal shihet favorit mbrëmjen e sotme, por presioni i lartë dhe situata e javëve të fundit mund t’i ketë demoralizuar pak djemtë e Arteta.

Formacionet e mundshme

Arsenal mund të startojë ndeshjen e sotme me Ramsdale në portë, White, Holdin, Gabriel dhe Zinchenko në mbrojtje. Xhaka, Partey dhe Odegaard në mesfushë, ndërsa Saka, Jesus dhe Trossard në sulm.

Chelsea pritet ta fillojë me Kepa në portë, Chabolah, Thiago Silva, Fofana dhe Chilwell në mbrojtje. Enzo, Kante dhe Gallagher në mesfushë, ndërsa Joao Felix, Havertz dhe Sterling në sulm./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!