Me 20 gola dhe 12 asiste në 39 ndeshje e deri më tanishme në sezonin e tij të parë te “shqiponjat” e Eintracht Frankfurt, “fantazisti” francez, Randal Kolo-Muani është kthyer në një nga objektivat kryesorë të “gjigandëve” evropianë këtë merkato vere, me francezin që “ofron” si organizimin perfekt të aksioneve, por dhe finalizimin.
Prej kohësh tashmë në “gjurmët” e nën-kampionit të botës janë “djajtë” e Manchester United dhe “bavarezët” e Bayern Munich, klube këto që e duan me ngulm afrimin e francezit, por deri tani nuk ka ndonjë ofertë zyrtare.
Mirëpo, ditën e sotme nga mediat gjermane është raportuar se “të kuqtë” e Ten Hag janë shumë pranë arritjes së akordit me Eintracht për të siguruar shërbimet e 24-vjeçarit, duke “parakaluar” kështu rivalët gjermanë të Bayern në “garën” për francezim.
Vetë futbollisti deri më tani nuk ka marrë asnjë vendim për të ardhmen, me menaxherët e lojtarit që po gjejnë opsionin më të mirë për Kolo-Muani. Problem gjithashtu do të jetë dhe shuma e madhe që “shqiponjat” e Frankfurt kërkojnë, me klubin që nuk pranon më pak se 100 milionë euro për ta lënë “fantazistin” të largohet nga “Deutsche-Bank Arena”. /i.m /abcnews.al