Në Nju Jork fillon sot Grand Slemi i radhës në tenis. Pretendentët kryesorë janë Novak Gjokoviç dhe Naomi Osaka, kampionët e vitit të kaluar.
Do të jetë spektakli i fundit i madh i vitit. Në Nju Jork fillon Grand Slemi i radhës i tenisit, ai US Open, ku më të mirët e botës do të synojnë kurorën e lakmuar. Pas Australian Openit, Rolan Garosit dhe Uimbëlldonit, ja edhe turneu amerikan, me famë të merituar përderisa ka arritur në edicionin e 139-të.
Novak Gjokoviç për meshkuj e Naomi Osaka për femra janë kampionët në fuqi, por po ashtu edhe favoritët, siç e do tradita.Tenisti serb fitoi finalen e vjetshme ndaj argjentinasit Huan Martin Del Potro 3-0 me sete, por e pati më të lehtë sepse Rafael Nadal u dëmtua, ndërsa Rozher Federer u eleminua shpejt.
Gjokoviç e nis ndaj spanjollit Karvajes Baena. Tek femrat, amerikania Osaka mundi vjet në finale patrioten e saj, Serena Uilliams, madje lehtësisht 2-0 me sete.
Këtë herë, konkurrenca pritet të jetë tepër e fortë, pasi pretendente janë edhe australiania Barti, çekja Plishkova, rumunia Halep, por padyshim edhe Serena Uilliams, që do të kërkojë Grand Slemin e saj të 24-ët për të barazuar rekordin botëror.
Shpërblimet do të jenë të larta, madje më të lartat e çdo turneu të këtij sporti, me një shumë totale prej rreth 60 milionë dollarësh. Kampionët do të fitojnë nga rreth 4 milionë dollar, finalistët diçka më pak se 2 milionë, ndërsa gjysmëfinalistët gati nga 1 milionë dollarë amerikanë./ABC News Albania 24/7