Një përplasje me Interin, më pas me Sassuolo dhe në fund të javës tjetër me Milanin. Duket se kjo do të jetë një javë ferri për “shqiponjat” e Lazio, të cilët ashtu si Roma, Milan, Inter e Juventus luftojnë për të njëjtin objektiv, kualifikimin direkt për në Champions Leauge.
Për javën e “ferrit” foli dhe drejtori sportiv i “celeste”-ve, Igli Tare, i cili ndër të tjera dha se Lazio synon fitoren në përballjen e sotme ndaj Inter, fitore kjo që do “mërziste” dhe napoletanët të cilët kanë filluar të bëhen gati për festimin e Scudetto-s.
“Champions? Është javë deçizive, tre ndeshjet e radhës janë shumë të rëndësishme dhe të vështira. Duhet të tregohemi të zotët për të marrë pikët e duhura dhe shumë mund të vendosë edhe ndeshja ndaj Interit.
Mendoj se kjo ndeshje duhej të ishte luajtur në orarin e duhur, e kuptoj që në Napoli mund të ketë festë, por ne mendojmë vetëm për veten. Do të mundohemi të fitojmë ndaj Inter dhe të shtyjmë festën e Napolit”,- u shpreh ish-“bomberi” i Kombëtares sonë përpara sfidës me “zikaltërit”. /i.m /abcnews.al