Pavarësisht problemeve që ka sjellë çështja e shpronësimeve, ndërtimi i pjesës lindore të Unazës së Madhe në Tiranë po vijon me ritme të shpejta. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi punimet në prani edhe të Drejtoreshës së Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato duke garantuar se në muajin tetor do të zgjidhet çështja e shpronësimeve. Balluku theksoi se ndërtimi i saj jo vetëm lehtëson qarkullimin e automjeteve duke zgjidhur problemin e trafikut por njëkohësisht bën të mundur edhe rikualifikimin e zonave pranë të cilave kalon.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku garantoi se në Tetor qeveria do t’i japë zgjidhje çështjes se shpronësimeve për pronarët e banesave në gjurmën ku kalon Unaza e Madhe e Tiranës. Ky projekt sipas ministres, ka ecur me ritme të shpejta gjatë verës, pavarësisht problemeve që ka sjellë çështja e shpronësimeve.
Balluku tha se nga ndërtimi i Unazës së Madhe nuk do të përfitojë vetëm qyteti i Tiranës. Ky projekt bën të mundur rikualifikimin urban në zonat ku ajo kalon, gjë që do të rrisë vlerën e banesave dhe pronave të tjera në të dy krahët e rrugës.
Drejtoresha e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato garantoi për cilësinë e punimeve që po kryen dhe tha se brenda 2 vitesh trafiku në kryeqytet do të lehtësohet.
Në pjesën Lindore të Unazës së Madhe të Tiranës projekti parashikon hapësira të gjelbërta për qytetarët, trotuare, sistemimin e shtratit të Lanës si dhe ndërtimin e 5 veprave të artit./ABC News Albania 24/7