Jo vetëm Salah, Liverpuli i Klopit shkëlqen në çdo rol

schedule14:30 - 25 Gusht, 2019

schedule 14:30 - 25 Gusht, 2019

Liverpuli kryeson Premier Ligën angleze pas fitores së fundit ndaj Arsenalit. Salah shkëlqeu me dy gola, por skuadra e Klopit po dominon sepse po luan mirë në mënyrë kolektive.

Nuk mund të fitohen trofetë me një lojtar apo me një repart të vetëm.

Jurgen Klop e di mirë këtë që nga sukseset tek Dortmundi, ndaj edhe Liverpuli i tij, kryesues bindës i Premier Ligës, duket i fortë në çdo repart.

I lavdëruari i madh është Mohamed Salahu, ylli egjiptian që realizoi dy herë në triumfin 3-1 ndaj Arsenalit në “Anfild”, por ai nuk luajti vetëm.

Edhe pse shokët e tij të ofensivës, Firmino e Sane, nuk ishin në maksimum, Salah mori ndihmë nga mesfusha, mbrojtësit e krahut, madje edhe nga qendërmbrojtësi Zhoel Matip.

Kamerunasi i lindur në Gjermani eklipsoi edhe shokun e tij në mbrojtje, Virgil Van Dajkun, që cilësohet nga shumëkush si më i miri i botës.

Shënoi golin e parë, dhe luftoi aq mirë, saqë mori notën 9 nga gazetat, duke qenë lojtari i ndeshjes.

Liverpuli e pati të vështirë derisa theu rezistencën e kundërshtarit, por më pas bëri atë që deshi.

Me 9 pikë në 3 ndeshje, dhe me golaverazhin 9-3, skuadra e trajnerit Klop është në rrugë të mirë drejt titullit të parë kampion në Angli që nga viti 1990, ndonëse gjermani mbetet i kujdesshëm.

“Identiteti ynë është ritmi i lartë, intensiteti, – tha ai, – dhe sërish luajtëm plot me energji, forcë dhe pasion. Vetëm kështu mund t’ia dalësh ndaj ekipeve si Arsenali. Ishte ndeshja e pestë e sezonit dhe ne po e shtojmë ritmin dhe saktësinë. Gjithsesi, kampionati është i gjatë dhe ne duhet të vazhdojmë kështu”.

Nota e vetme negative për Liverpulin, nëse mund të quhet e tillë, është driblimi që sulmuesi mik, Nikolas Pepe, i bëri Van Dajkut në pjesën e parë.

Ishte thjesht një moment, pasi holandezi shkëlqeu për 90 minuta, veçse Pepe bëri diçka që kishte 1 vit e gjysmë që nuk ndodhte.

I fundit që kishte dribluar Van Dajkun, kishte qenë Mikel Merino i Njukasëllit në mars 2018, para 50 ndeshjeve dhe 539 ditëve./ABC News Albania 24/7